Nga Leontina Nika
Libri “Bota shqiptare e Branko Merxhanit” vjen në duart e lexuesit nga Ndriçim Kulla. Studiuesi është njohur me personalitetin e tij në periudhën e komunizmit, por këtë kohë pandemie e shfrytëzoi që të botonte këtë libër, me dëshirën edhe shpresën, që edhe brezat pasardhës të njihen me figurën e botuesit të “ Përpjekjes shqiptare”, e cila sipas autorit ka mbetur një emër mes së njohurës dhe të panjohurës.
Kulla thotë se pavarësisht debateve për komunizmin, Merxhani dhe petro marko ishin miq.
“Megjithë divergjencat ideologjike që kishin, ata ishin miq sinqertë sepse i bashkonte kultura. Petro Marko ishte komunist i vendosur derisa jeta do ta çonte në një provë. Ai e braktisi komunizmin, por jo idetë e majta”, thotë Kulla.
Branko Merxhani ka qenë botues i të përkohshmes Përpjekja shqiptare, përkthyes, ndër publicistët më të njohur të para Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri dhe gazetar në Turqi. Në publicistikën e tij shquhet për lëvrimin e rrymës prestigjioze social-kulturore të quajtur Neoshqiptarizma. /abcnews.al