Një titull enigmatik, një libër publicistik dhe një mënyrë ndryshe për të rrëfyer historinë politike shqiptare.
Gazetari, publicisti, autori dhe pedagogu Frrok Çupi vjen me librin “Kali s’po donte”, ku politika nuk tregohet drejtpërdrejt, por përmes alegorisë, metaforës dhe historive të jetuara. Autori thotë se nuk është përpjekur të shpjegojë vetëm një histori politike, por të prekë atë që e quan antropologjinë shqiptare.
Në faqet e librit bashkohen ngjarje politike, personazhe, dëshmi dhe realitete të përditshme, të shndërruara në një rrëfim figurativ. Çupi përdor personazhe dhe fabula për të sjellë në një tjetër dritë zhvillimet që ka ndjekur gjatë karrierës së tij të gjatë në gazetari.
“Tempulli dhe harresa”, “Treni nuk ka vende”, “Edhe pse nuk e do atdheun”… janë disa nga titujt që e ndërtojnë këtë univers alegorik. Por pyetja që lind është e pashmangshme: ku ka dashur të “god asë” Frrok Çupi?
Autori thotë se në këtë libër nuk ka lënë pa “fshikulluar” asnjë prej aktorëve të politikës shqiptare. Mesazhet nuk jepen gjithmonë hapur; ato fshihen pas figuracionit dhe kërkojnë që lexuesi të zbërthejë vetë kuptimin.
Një libër ku e kaluara, politika dhe përditshmëria takohen përmes një gjuhe ndryshe. “Kali s’po donte” është një përpjekje për ta parë realitetin shqiptar jo vetëm përmes asaj që thuhet, por edhe përmes asaj që fshihet pas metaforës./abcnews.al


