Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, i cili është nipi i komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari përmes një postimi në Facebook u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës, që në procesin e dialogut me Serbinë të shmangin kompromiset që dëmtojë interesat e qytetarëve. Ai pozicionet kundër çdo ndryshimi të mundshëm të Kushtetutës në emër të arritjes së një marrëveshje finale me Serbinë.
“Në asnjë mënyrë dhe për asnjë çmim nuk duhet dhe nuk mund të ndryshohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në emër të arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.
Shteti ynë ka bërë vazhdimisht kompromise të dhimbshme në emër të arritjes së marrëveshjeve me Serbinë, duke përfshirë diskriminimin pozitiv të pakicës serbe në Kosovë dhe votimin e dyfishtë për çështje substanciale si pjesë e kushtetutës sonë.
Ajo që duhet të ndryshojë kushtetutën është Serbia, e cila përveç kësaj duhet dhënë përgjegjësi për të pagjeturit, viktimat e luftës, gjenocidin mbi popullatën e pafajshme dhe dëmet materiale të shkaktuara në luftën e fundit në Kosovë.
Kushtetuta e shtetit tonë duhet të ndryshohet vetëm për të hequr votimin e dyfishtë, si derivat i pakos së Ahtisarit dhe i cili pengon të ardhmen dhe zhvillimin e shtetit tonë.
Udhëheqësit tonë shtetërorë duhet t’ia bëjnë me dije faktorit ndërkombëtar që shteti ynë nuk ka për të bërë më kompromise dhe se jemi shteti më i avancuar në Ballkan sa i përket respektimit të të drejtave të pakicave.
Është koha e fundit që spektri politik në vend të jenë të bashkuar dhe të unifikuar të mbrojmë shtetin tonë nga çdo tendencë që mund të vijë për ta futur atë në negociata e kompromise të dhimbshme.
Çdo veprim i sotëm i udhëheqësve tanë duhet të jetë konform Kushtetutës dhe duke mos prekur në asnjë mënyrë shtetësinë, sovranitetin dhe territorialitetin e shtetit tonë” shkruan ai./ db/Abcnews.al