Eduart Rroca ka gjetur golat e parë zyrtarë me Istanbulspor. Fantazisti shqiptar firmosi me klubin e divizionit të dytë të futbollit turk një kontratë 5-vjeçare në shtator, aty ku ka si shok skuadre edhe Kristal Abazajn.
Ky i fundit u zhbllokua në fitoren 2-1 me Bandirmaspor, ndërsa sot kanë ardhur dy golat e Rrocës. 27-vjeçari ka gjetur rrugën e rrjetës dy herë brenda 4 minutave në ndeshjen jashtë shtëpie me Samsunspor.
Rroca dërgoi topin në rrjetë në minutën e 53-të dhe dyfishoi pak më vonë, duke i dhuruar avantazhin 0-2 ekipit të tij. Në minutat e fundit miqtë realizuan një tjetër gol me anë të ganezit Issah, i cili gjeti golin pas asistit të marrë nga Rroca.
Fitorja 0-3 e konfirmon Istanbulspor në krye të renditjes me 12 pikë pas 5 javëve të para. Si titullar e ka nisur takimin e sotëm edhe Kristal Abazaj, të cilin trajneri e ka vendosur në majë të sulmit. /abcnews.al