Deshmia e Nezar Seitit para prokurorëve të Krimeve të Rënda të mbërritur në Romë nga Tirana, nuk ka ofruar fakte të reja për hetimin shqiptar. Seiti, i cilësuar si “financieri” i Habilajve. Ai ka mohuar njohjen apo kontaktet me ish-ministrin Tahiri, i akuzuar nga Krimet e Rënda për “trafik droge” dhe “korrupsion”
Në një kohë që afati hetimor ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, është futur në dy javorshin e fundit, pyetja e Nezar Seitit nga prokurorët e Krimeve të Rënda nuk ka sjellë asnjë fakt të ri. Seiti u pyet pak ditë më parë në një nga paraburgimet e Romës, ku qëndron prej ekstradimit të tij nga Shqipëria në 25 janar të këtij viti.
Burime pranë grupit hetimor bënë me dije për “ABC News” se Seiti, i dyshuar nga autoritetet italiane si “financier” i grupit të “Habilajve”, ka “qepur gojën” para çdo pyetjeje të bërë në lidhje me ish-ministrin Saimir Tahiri, duke mohuar kategorikisht njohjen apo kontaktet me të.
Sipas Krimeve të Rënda, ish-ministri ka favorizuar “Habilajt” të trafikun e drogës.
Nezar Seiti ka mbajtur qëndrim mohues edhe në lidhje me sasine e 4.5 tonëve kabanis të gjetura nga policia në banesën e Armando Koccerrit në Babicë të Vlorës mbrëmjen kur edhe ai vetë u arrestua.
“Habilajt i njoh vetëm si kushërinj të bashkëshortes, por nuk di asgjë në lidhje me drogën”, mësohet të ketë pohuar Seiti.
“ABC News” mësoi se gjatë marrjes në pyetje, që nuk ka zgjatur më shumë se 30 minuta, Seiti është asistuar nga avokati i tij italian. Ndërkohë bëhet me dije se gjatë muajve të qëndrimit të tij në Itali, para se të përballej me prokurorët e Krimeve të Rënda, Seiti ka pasur të paktën 4 takime me avokatin e tij shqiptar, Detar Hysi. Avokati Hysi ka qenë në Katania edhe ditën e zhvillimit të seancës së parë gjyqësore të “Habilajve” në 31 maj, ndonëse jo si përfaqësues i ndonjërit në sallën e gjyqit.
Për Prokurorinë e Katanias në Itali, Nezar Seiti dyshohet si një nga anëtarët e grupit kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj. Në Shqipëri, ai po hetohet për akuzën e “trafikut të narkotikëve” në lidhje me sasinë prej 4.5 tonë drogë të sekuestruar në Babicë.
Sipas burimeve, edhe pyetja e Moisi Habilajt dhe të dyshuarve të tjerë nga ana e prokuroirëve të Krimeve të Rënda në Itali nuk solli asnjë provë të re në Tiranë. /abcnews.al