Challandes: Kosova ime tregoi karakter, penalltia e pritur na ndihmoi

schedule09:18 - 15 Tetor, 2020

schedule 09:18 - 15 Tetor, 2020

Kosova, edhe pse me mungesa në Athinë, ia doli të merrte një pikë kundër Greqisë. Takimi u mbyll me rezultatin e bardhë 0-0, ndërkohë që portieri Arianet Muric priti një penallti në fillim të ndeshjes. Trajneri Bernard Challandes, në konferencën e zakonshme për shtyp analizoi atë që pa në fushën e blertë.

“Kemi pasur disa probleme në pjesën e parë, veçanërisht në krahë. Kundërshtarët tanë ishin shumë të mirë në ato pozita, por në pjesën e dytë krahët tanë luajtën më shumë në mbrojtje dhe ndihmuan skuadrën në mbajtjen e rezultatit”, tha fillimisht tekniku zviceran.

Më pas Challandes shtoi: “Jam i kënaqur sepse skuadra nuk u dorëzua. Unë jam një trajner që më pëlqen loja sulmuese. Gjithsesi ndonjëherë është e mundur, e ndonjëherë jo. Kundër Greqisë duhej të mbroheshim pak më shumë, në mënyrë që të mos humbnim”.

Penalltia që u dha në favor të Greqisë pati kontestime dhe trajneri i Kosovës shprehet kështu: “Nuk isha i kënaqur me vendimin e gjyqtarit, por është shumë e rëndësishme për një portier të presë penalltitë dhe t’i japë zemër ekipit. Kjo i jep mentalitet më të mirë ekipit, që të luftojnë së bashku dhe të japin maksimumin”.

Kosova kishte ndryshuar modul dje, duke luajtur me 5 lojtarë në prapavijë. A do të luajë edhe në të ardhmen kështu përfaqësuesja dardane? Challandes përgjigjet: “Ishte taktike të luanim me 5 mbrojtës. Kemi lojtarë që luajnë me këtë modul në ekipet e tyre. Nuk është se unë dua të luaj lojë mbrojtëse, por këtë herë duhej të ndodhte. Kjo ishte zgjedhja më e mirë për ndeshjen ndaj Greqisë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!