“Nuk na e merrte mendja se do të katandisej gjithë ky gjigant në këtë pikë, nuk kemi ku e zgjidhim hallin”. Arjan Çela është mekanik prej 28 vitesh në uzinën e Ballshit. Ai tregon vuajtjet dhe shpresën që kishin.
“Ne kemi punuar me 6500 xhiro në minutë, që kompromon gaz dhe dërgon te repartet e tjera, është front shumë i vështirë, disa herë na ka rënë tensioni, jemi mbajtur me serume dhe nuk do ia dijë njeri. Kam shpresuar se dikush do të vinte dorën në zemër, të vazhdonte punën” tha ai.
Objekti i rëndësisë së veçantë, Uzina e Ballshit shtrihet në një hapësirë prej më shumë se 20 hektarësh, ndërsa tani gjithçka është e braktisur duke rrezikuar daljen jashtë funksionit të pajisjeve dhe reparteve.
Ndalesa prej më shumë se 9 muajsh po shkakton amortizimin e të gjitha pajisjeve. Për rafinerinë më të madhe të naftës në Ballkan ka nisur numërimi mbrapsht.
Uzina e Ballshit është pjesë e aseteve të ARMO-s, 15% të aksioneve i zotëron shteti, që prej privatizimit në 2008 dhe falimentimeve, bilanci janë 27 paga të pashlyera për më shumë se 900 punonjës.
Ndalesa e fundit erdhi për shkak të mosmarrëveshje për furnizimin me naftë bruto. Naftëtarët vijojnë grevën, ndërsa sot takimi me përfaqësuesit e firmës përfundoi pa rezultat./ db/Abcnews.al