Shtyhet gjyqi për grabitjen e vitit 2017 në Rinas Gjykatën e Posaçme të Apelit, gjobiten avokatët

schedule11:08 - 13 Tetor, 2020

schedule 11:08 - 13 Tetor, 2020

Refuzimi i avokatëve të caktuar kryesisht nga gjykata për të mbrojtur të pandehurit për grabitjen e ndodhur në Rinas më 9 shkurt të vitit 2017 ka bërë që seanca gjyqësore lidhur me këtë çështje të shtyhet sërish.

Gjykata ka vendosur të ndëshkojë avokatët për refuzimin e çështjes duke i gjobitur me nga 50 dhe 100 mijë lekë. Procesi gjyqësor ka ngecur në konkluzionet përfundimtare, dhe më pas pritet vendimi i Apelit të së Posaçmes.

Çështja për ngjarjen e tre viteve më parë vijon të shtyhet prej më shumë se dy vitesh. Shkalla e Parë e Gjykatës për Krime të Rënda e cila tashmë është “shkrirë” duke u zëvendësuar me GJKKO, ka caktuar 107 vite burg në total për të pandehurit:  Dash Kupa 27 vite burg, Ernest Kupa 26 vite burg, Neim Avdylaj 26 vite burg, Fatjon Xhyliu 21 vite burg, Dritan Sinani 20 vite burg dhe Aleksandër Murataj 19 vite burg.

Dy bashkëpunëtorët e drejtësisë, Ditjon Memlika dhe Admir Çerpja janë dënuar me nga 8 vite e 6 muaj burg. Përveç grabitjes jashtë pistës në aeroportin e Rinasit, ata gjithashtu akuzohen të jenë autorë të dy grabitjeve të tjera në vitin 2015. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprat penale “Vjedhja e bankave” më shumë se njëherë, “Prodhim i mbajtjes pa leje të armëve luftarake” në formën e grupit të strukturuar, “Krijimit dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”./mv. abcnews.al