Naftëtarët e Ballshit kanë tentuar të hyjnë me forcë në Uzinë në mbështetje të kolegëve të tyre që vijojnë grevën në ditën e 16 të saj. Ata janë përplasur me policinë private të cilët kanë tentuar t’i ndalojnë. Në mbështetje të naftëtarëve sot ka dalë edhe Sindikata e Fermerëve.
Kreu i Sindikatës së Naftëtarëve Sokol Dautaj deklaroi se kjo është një tallje e madhe për naftëtarët pasi prej 16 ditësh nuk kanë marrë përgjigje për kërkesat e tyre. Ai tha se ndër të tjera kërkojnë edhe librezat.
“Është një tallje e madhe. Naftëtarët kërkojnë të marrin librezat dhe të vijë pronari. Le të vijë pronari të japë librezat dhe të dalim edhe ne nga greva. Më paqësore se kaq çfarë mund të bëjmë më shumë ne. 16 ditë në grevë urie. Ne e prishëm grevën në shkurt se thonin se për tre muaj do të fillojë puna. Ku është puna. Nuk ka pronar këtu. Këtu janë vetëm 900 naftëtarët që janë lënë në mëshirë të fatit. Nuk kemi arsye të gjejmë ne se kush privat vjen këtu. Nuk janë naftëtarët problematikë këtu. Këta nuk vijnë të lënë të vdesësh”, tha Dautaj.
“Edhe ne jemi sindikatë po ne kemi probleme si ata. Edhe ne kemi një vit e gjysmë që përplasemi me arrogancën e qeverisë. Jemi në të njëjtin hall dhe kemi të solidarizohemi dhe të mbështesim naftëtarët. Askush nuk interesohet nga qeveria që këta të zgjidhen. Shteti gjithmonë duhet ta gjejë një zgjidhje dhe askush nuk është kujdesur që problemet e tyre të zgjidhen”, shprehet përfaqësuesi i Sindikatës së Fermerëve.
Jemi të vendosur për t’u futur brenda të marrin librezat tona. Dritat dhe ujin i paguaj çdo muaj përndryshe ai m’i pret. Të thuash fjalën bukë në vitin 2020 është turp. Prandaj kryeministri t’i vërë gishtin kokës. Ne do të vazhdojmë deri në zgjidhjen e kërkesave tona” shprehet një nga naftëtarët.
Ditën e sotme naftëtarët kishin planifikuar të bllokonin rrugën kryesore por për shkak të reshjeve të shiut, protesta e tyre është përqendruar përpara godinës së uzinës./mv. abcnews.al