Mijëra njerëz protestuan në Los Anxhelos të SHBA-së për të mbështetur Armeninë në konfliktin e saj të vazhdueshëm me Azerbajxhanin për rajonin separatist të Nagorno Karabakut.
Të paktën 20.000 mbështetës pro-Armenisë, janë mbledhur para Konsullatës Turke në Beverly Hills për të dënuar mbështetjen e Turqisë për Azerbajxhanin.
Ndërkohë mediat e huaja bëjnë me dije se protesta ishte paqësore. Përmes një postimi në Tëitter kryebashkiaku i Los Anxhelosit, Eric Garcetti, shkruan se mbështet protestuesit, duke bashkangjitur një letër, që i është dërguar Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, nga një grup i kryetarëve të qyteteve dhe ligjvënësve të Kongresit, të cilët kërkojnë që Shtetet e Bashkuara të ndihmojnë në uljen e tensioneve.
“Si përfaqësues krenarë të komuniteteve armene amerikane në të gjithë vendin tonë, ne ndajmë shqetësimet e tyre të thella rreth dhunës që po i bëhet Artsakhut, numrit në rritje të viktimave civile dhe përfshirjes së aktorëve rajonalë si Turqia dhe Irani“, thuhet në letër.
Armenët i referohen Nago-Karabakut si Artsakh. Konsulli i Përgjithshëm i Azerbajxhanit në Shtetet e Bashkuara perëndimore, Nasimi Aghayev, kritikoi kryetarin e bashkisë së Los Anxhelosit për injorimin e viktimave civile në qytetet e Azerbajxhanit.
“A duhet që politika të jetë gjithmonë në lidhje me paratë dhe votat?“, shkroi ai, duke shtuar një video që tregon dëmet dhe viktimat e shkaktuara nga sulmet armene në Ganca, qyteti i dytë më i madh i Azerbajxhanit.
Protesta ndodhi derisa Armenia dhe Azerbajxhani kanë bërë akuza të ndërsjella për shkelje të një armëpushimi./abcnews.al