Në ditën e 14 të grevës të naftëtarëve të Ballshit, gjendja shëndetësore e tre prej tyre është rënduar. Ata janë dërguar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Burime bëjnë me dije për abcnews.al se naftëtarët që kanë lënë grevën për shkak të gjendjes së rënduar, janë Behar Luto dhe Eduart Haxhiaj. Naftëtarët e Ballshit kërkojnë marrjen e pagave të prapambetura dhe rinisjen e punës së rafinerisë.
“Aktualisht gjendja është shumë e rënduar. Kemi nisur para një ore 3 kolegët tanë të cilët ishin në gjendje të rëndë. Janë shumë rëndë. Janë të dehidratuar. Kanë marrje mendsh, dhimbje koke. Do ta vazhdoj grevën deri në fund” shprehet njëri prej grevistëve.
Ditën e djeshme ata zhvilluan edhe një protestë në mbështetje të kolegëve të tyre që vazhdojnë grevën tashmë prej dy javësh. Naftëtarët kanë deklaruar se do të bllokojnë rrugën kryesore që lidh Ballshin me Fierin nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre./mv. abcnews.al