Super Atalanta, Gasperini: Dikur më kritikonin, tashmë të gjithë na kopjojnë

schedule13:40 - 10 Tetor, 2020

schedule 13:40 - 10 Tetor, 2020

Trajneri i Atalantës, Gian Piero Gasperini, është ndalur sërish tek skema që ai përdor. Italiani kthehet pas në kohë, kur drejtonte Interin dhe tregon se atëherë mbrojtja me 3 nuk i pëlqente askujt. Gjërat kanë ndryshuar tashmë dhe të gjithë ekipet kërkojnë të luajnë si Atalanta, me skemën e tij që të gjithë e kritikonin.

“Në 2011 kam qenë shumë pranë Atalantës, por shkova tek Interi. Përdorimi i skemës me tre mbrojtës nuk i pëlqeu askujt, por tani Inter, Juventus, Roma apo dhe Lazio përdorin këtë skemë. Unë besoj se kjo është mënyra më e mirë për të ndërtuar sulmin nga pas dhe rezultatet më japin mua të drejtë.

Dua të falenderoj lojtarët që më kanë mbështetur stilin tim të futbollit. Ne kemi shumë lojtarë teknikë dhe vrapojmë shumë, nuk është rastësi që kemi shënuar 98 gola. Champions? Jemi në një grup me ekipe që kanë shkruar historinë e këtij kompeticoni. Megjithatë, ambicia jonë nuk është vetëm të luajmë bukur, por të kalojmë në raundin tjetër,” deklaroi italiani në eventin “Festival dello Sport”.

Pandemia? Bergamo ka qenë një nga zonat e kuqe të Italisë dhe pjesa më e vështirë për ne ishte kur u kthyem nga Valancia. Në rrugë dëgjoje vetëm sirena ambulancash, ishte tamam si luftë. Unë e kisha Covidin pa e ditur, por kurrë nuk kisha probleme. Gjithsesi ishte diçka e sikletshme,” përfundon Gasperini. /abcnews.al