Golden State fiton finalen e dytë

schedule17:55 - 4 Qershor, 2018

schedule 17:55 - 4 Qershor, 2018

Stephen Curry vendosi një rekord të ri në basketbollin amerikan, dhe ndihmoi ekipin e tij të fitonte ndeshjen e dytë finale radhazi. Titulli, tashmë, duket tepër i vështirë për Lebron James.

Një rikthim për kampionët.

Golden State luajti si skuadra më e mirë e botës, dhe e dominoi shumë më lehtë ndeshjen e dytë finale për titull në NBA, dhe e fitoi 122-103.

Nën udhëheqjen e Stephen Curry, por edhe me praninë e një talenti të pakrahasueshëm, Uorriors e përballuan pa vuajtur edhe aq shumë sfidën e lojtarit më të mirë në rruzull, Lebron James.

Edhe pse Cleveland Kavaliers nuk u dorëzua të paktën deri në pjesën e katërt e të fundit, sërish ekipi nga Kalifornia u shfaq, siç e njohim, si favoritin për të fituar titullin e dytë radhazi në basketbollin amerikan, dhe të gjashtin në histori.

Carry, ndoshta ekzekutuesi më i mirë në historinë e NBA-së vendosi rekordin e kampionatit me 9 gjuajtje të realizuara për tri pikë.

Rekordi i mëparshëm i fazës finale mbahej nga Rej Allen me 8.

Numri 30 i Golden State shënoi gjithsej 33 pikë, dha 8 asistë dhe kapi 7 topa në tabela, me një rendiment vërtet të lartë.

Ai pati edhe një duel me James, duke ia kaluar, të paktën për momentin, me numrin e përgjithshëm të tripikëshave në Finalet e NBA-së, duke pasur 90 ndaj 85 të Lebronit.

Basketbollisti më i mirë i botës nuk mundi të ishte aq i jashtëzakonshëm sa në finalen e parë, por gjithsesi bëri shumë.

Ai shënoi 29 pikë, kapi 9 topa në tabela e dha 13 pasime për kosh.

Po ashtu, vodhi dy topa, por sërish Cleveland nuk pati potencial për t’u matur deri në fund me kampionët.

Në të njëjtën Arenë, atë të Oklendit, skuadra mike u dorëzua në minutat e fundit, në ndeshjen e parë u mund në kohën shtesë, ndërsa këtë herë në pjesën e katërt.

Falë Lebronit, Kavaliersët ishin 10 pikë prapa në fund të pjesës së tretë, pra mund të luhej për fitore, veçse ai pati në krah vetëm Kevin Lovin.

Kërri u ndihmua nga yjet e tjerë të formacionit vendas.

Kevin Durant ishte tepër i saktë, thuajse si përherë.

Ai shënoi 26 pikë, kapi 9 topa në tabela, shërbeu 7 asistë e bllokoi dy gjuajtje, duke qenë shumë efikas, me vetëm 5 gjuajtje të humbura në gjithë ndeshjen.

Falë fantazisë dhe vizionit të Curry e Durantit, ishte më e lehtë për kapitenin Clay Thompson që të shënonte 20 pikë dhe për Draymond Green që të shkëlqente po ashtu.

Jo vetëm kaq, por kampionët në fuqi patën ndihmë nga dy lojtarë të konsideruar shumë më të thjeshtë.

Basketbollisti shtatlartë Mekgi pati 12 pikë duke mos gabuar asnjë gjuajtje, dhe po ashtu, asnjë gabim nuk bëri Shon Livingston.

Golden State kryeson 2-0 dhe duket shumë pranë titullit, edhe pse dy sfidat e radhës do të luhen në fushën e Cleveland./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!