Evertoni e ka nisur në mënyrë fantastike sezonin e ri në Premier League. Djemtë e Carlo Ancelottit kryesojnë të vetëm me pikë të plota pas javës së katërt.
Një ndër lojtarët që po dhuron paraqitje shumë pozitive dhe po shënon gola, është Dominic Calvert-Lewin. Sulmuesi ka realizuar 6 gola në katër takimet e fituara në kampionat dhe sot ka debutuar me kombëtaren e Anglisë.
Gareth Southgate i ka dhuruar një fanellë titullari në miqësoren derbi ndaj Uellsit dhe 23-vjeçarit i kanë mjaftuar 26 minuta për të gjetur golin e parë me “Tre Luanët”.
Kros i Jack Graelish nga e djathta dhe finalizim me kokë i Calvert-Lewin, i cili po kalon momentin më të mirë të karrierës. /abcnews.al