Pavarësisht se shpreson për hapjen e negociatave, kryeministri Edi Rama shprehet se nuk e kupton se si Evropa mund të sfidojë objektivat e veta. Në një intervistë për median gjermane ARD, kreu i qeverisë uroi që qasja e Bashkimit Evropian ndaj Shqipërisë të mos jetë e padrejtë.
Kryeministri Edi Rama vazhdon të shprehë bindjen se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave. Këtë e ka e ka thënë edhe gjatë intervistës për televizionin gjerman ARD.
“Shqipëria e meriton hapjen e negociatave pasi kemi marrë një rekomandim shumë të qartë nga Komisioni”.
“Nuk e kuptoj se si kjo makineri që kushton miliarda për të hartuar raportet të imtësishme mund të sfidojë objektivat e veta. Sigurisht, e di që ka vende anëtare që kanë probleme të brendshme, por besoj fuqishëm në shpirtin e Europës. Dhe në shpirtin e Europës ka një qasje strikte dhe të drejtë, kështu që deri tani qasja ka qenë strikte dhe shpresoj të mos jetë e padrejtë”
Sa i përket samitit të fundit të Ballkanit Perëndimor në Sofje pritshmëritë nuk i kishte të larta kryeministri Edi Rama.
“Jo nuk prisja, sepse e dija çfarë kishim bërë dhe sa progres mund të bënim, kështu që e dija se nuk ishte koha për të kërkuar asgjë të tillë por se ishte një çast për të vazhduar dhe luftuar, pra ishte një takim i mirë sepse munda të luftoj”.
Kalimi i paligjshmëm i kufijve është një ndër temat që po shqetëson sot Bashkimin Evropian. Por kjo nuk do të thotë që duhet të ngrihen barrier në kufirin me Greqinë u shpreh kryeministri Rama.
“Nuk besoj në barrierat fizike, besoj në barrierën e bashkëpunimit mes shteteve dhe njerëzve. Pra nëse kjo barrierë është e ndërthurur mirë, atëherë çdo gjë është shumë mirë dhe nëse është e bërë siç duhet jo vetëm mbron kufijtë por respekton edhe dinjitetin e njerëzve”.
Statistikat e fundit zyrtare tregojnë se numri i refugjatëve që kalojnë kufirin nga Greqia drejt Shqipërisë dhe më pas drejt Europës Qendrore, është me 14 herë më i lart në raport me vitin e kaluar. /abcnews.al

