EURALIUS: Të amendohen 3 ligjet organike të reformës në drejtësi

schedule08:51 - 4 Qershor, 2018

schedule 08:51 - 4 Qershor, 2018

Tri ligjet organike të reformës në drejtesi duhen amenduar sa më parë. Këtë kërkon misioni EURALIUS në raportin e tij më të fundit, ku flet për punën dhe asistencën e tij për reformën në drejtësi në vendin tonë. EUROALIUS thekson ngritjen sa më shpejt të institucioneve të reja të drejtësisë.

Në raportin mbi konsolidimin e reformës në drejtësi të publikuar nga misioni EURALIUS bazuar në periudhën 1 qershor 2017 – 28 shkurt 2018  ekspertët bëjnë një përmbledhje të asistimit në adoptimin, implementimin dhe monitorimin e strategjisë së reformës në drejtësi. Në proces EURALIUS thekson asistimin e Kuvendit shqiptar, por ajo që mungon në këtë raport është pikërisht opinioni i këtij misioni i cili mban datën 13 nëntor 2017 drejtuar kreut të komisionit të ligjeve Ulsi Manja.

Ishte ky kali i betejës për mazhorancën si dokument legjitimues i zgjedhjes së një prokurori të përgjithshëm të përkohshëm që nuk ka kaluar vettingun, gjë të cilën kushtetuta nuk e njeh, me një shumicë absolute që ligji gjithashtu nuk e njeh.

Njëkohësisht raporti i EURALIUS thekson rëndësinë e amendimit të tre ligjeve organike të reformës në drejtësi, atij të “organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ligjit të vettingut dhe ligjit “për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, të shfuqizuar pjesërisht nga Gjykata Kushtetuese. Duke cituar nisjen e punës në Kuvend lidhur me amendimin e këtyre ligjeve, EURALIUS parashikon krijimin e këtyre amendamenteve brenda pak javëve edhe pse në Këshillin e legjislacionit pranë Kuvendit Shqiptar, pas rrëzimit të propozimit të demokratëve për rishikimin e procedurës për përzgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm, që u rrëzua në parlament, puna nuk ka vijuar më, duke zhgënjyer parashikimin optimist të raportuar nga EURALIUS IV.

Ky i fundit raporton edhe mbi Këshillin e Lartë të Drejtësisë për periudhën qershor 2017 – janar 2018, ku pavarësisht shfuqizimit gja Kushtetuesja të neneve që ngarkojnë Këshillin e Lartë të Drejtësisë me finalizimin e procedurave disiplinore ndaj gjyqtarëve, deri në amendimin e ligjit nga Kuvendi përgjegjësia, mbetet e KLD-së për këtë fazë tranzitore që fillon brenda 6 muajve nga hyrja e fuqi e ligjit. Ky afat ka përfunduar në prill të 2017 – si thekson edhe raporti- i cili për herë të parë vë në dukje vonesën e konsiderueshme ndaj detyrimit Kushtetues dhe ligjor të parashikuar.

Ajo që raporti njeh është vonesa e implementimit të reformës kur përmend shortin e hapur nga Kuvendi për krijimin e trupës së dytë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nga krijimi i saj në 2016-ën. EURALIUS kujton rekomandimin e dhënë, pas kërkesës së presidentit Ilir Meta për interpretim të ligjit i cili parashikonte kushte dhe kritere të paplotësueshme për kandidatët, si psh kalimi me sukses i vettingut. Opinioni i EURALIUS propozoi krijimin e listës së kandidatëve të KED bazuar në kriterin e vetëm të të mos paturit masë disiplinore në fuqi. Dhe kështu ndodhi.

Anëtarët e ri të zgjedhur – shkruan raporti –  do të zbatojnë detyrat e tyre nga 1 janari 2018 deri ne dhjetor 2018

Ajo që duket se nuk gjen vend në raport është pikerisht mungesa e zbatimit të detyrave nga kjo trupë me justifikimin e mos pasjes së kritereve të përcaktuara në ligj, të cilat i lejojnë KED-së ekzistencën e saj.

Në pjesën kushtuar ngritjes së institucioneve të reja, raporti i EURALIUS preferon ti referohet ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe jo Kushtetutës, kur përcakton se Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe ai i Prokurorisë quhen të ngritura kur anëtari i saj i fundit zgjidhet nga autoritetet kompetente. Edhe pse Kushtetuta e republikës kërkon që kjo kohë të mos zgjasë më shumë se 8 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit, dy vjet më vonë, raporti i misionit EURALIUS thekson me gërma të pjerrta, se në varësi të procesit të vettingut, ngritja e këtyre institucioneve mund të marrë edhe pak kohë. Një tjetër frazë optimiste kjo e raportit që nuk harron të theksojë si vonesë mungesën e kandidaturave nga shoqëria civile, të përfunduar që ën muajin janar të këtij viti dhe të mbetur në pritje të 6 antarëve që vijnë nga rradhët e magjistratëve ende të pa rivlerësuar. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!