Progres-raporti i KE për Shqipërinë, Haxhinasto: Sfida sot, vendosja e një realiteti të ri politik

schedule08:48 - 7 Tetor, 2020

schedule 08:48 - 7 Tetor, 2020

Ish-ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto, i ftuar në “Abc-ja e mëngjesit”, foli për progres raportin e Këshillit Evropian për Shqipërinë.

Sipas tij vendi nuk ndodhet në paqe politike dhe se sipas tij sfida e aktorëve politik është vendosja e një sistemi të ri ku qytetarët të jenë të lirë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

“BE ka ngritur radarët edhe për vende të tjerë Evropiane. Në raport prisja një dozë më të madhe realizmi, një gjuhë më të drejtpërdrejtë. Vendet anëtare kryesisht Gjermania, ka peshë specifike në BE që çështjet e demokracisë, të tregut të lirë dhe të të drejtave janë shumë të vlefshme dhe i duan themelet e të gjithë ngrehinës. Si mund të kalojë kjo cilësi e sistemit në Shqipëri pa tërhequr vëmendjen në Shqipëri”.

Për mazhorancën ka rëndësi që me këto ndryshime ligjore dhe Kushtetuese të mbahen fort pas pushtetit.

“Shqipëria nuk është në paqe politike. Pasojat që vijnë nga arroganca dhe për të përdorur të gjithë instrumentet ligjore është sepse demokracia nuk është vullneti i një ane të politikës, është vullneti i të gjithë pjesëve të politikës që vendosin rregullat e lojës. Kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë që njëra anë e politikës vendos rregullat dhe thotë hajde luajmë”, tha Haxhinasto.

Gjatë bisedës  në studio ai më tej theksoi se dhe paqja e vërtetë politike vendoset pas zgjedhjeve të lira të ndershme.

“Kjo është sfida sot, vendosja e një realiteti të ri politik ku qytetarët zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Unë nuk shoh nga mazhoranca të ushtrojë detyrën e saj për paqe apo integrim. Integrimi është ngritja e institucioneve demokratike dhe jo të shkatërrosh gjithçka në funksion të pushtetit”, tha ish-ministri i Jashtëm./abcnews.al/