Takimi me liderin Kim Jong un është kthyer sërish në axhendën e Donald Trump. Lajmin e ka bërë të ditur vetë presidenti amerikan, pasi ka pritur në Shtëpinë e Bardhë zyrtarin e dërguar nga Peniani.
Takimi mes Donald Trump dhe Kim Jong un, më 12 qershor në Singapor është kthyer në axhendë. Lajmin e ka bërë të ditur vetë presidenti i Shteteve të Bashkuara, pasi ka pritur në Shtëpinë e Bardhë zyrtarin e lartë koreano-verior Kim Jong Çol. Trump ka deklaruar gjithashtu se ka marrë garanci se Peniani e dëshiron çarmatimin bërthamor. I dërguari i regjimit të vendit aziatik i ka dorëzuar zotit Trump një letër nga lideri Kim Jong Un. Presidenti Trump e ka cilësuar atë si shumë interesante dhe realiste në disa pika. Ndër të tjera, ai ka shtuar se me gjeneralin Çol nuk është diskutuar për çështje të të drejtave të njeriut. Çol është zyrtari më i lartë i Koresë së Veriut që viziton Shtetet e Bashkuara e që takon një president amerikan në thuajse 20 vjet. Vizita e tij në Shtëpinë e Bardhë erdhi një ditë pas takimit në Nju Jork me sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, me të cilin diskutoi për samitin e 12 qershorit. Sipas “Ëall Street Journal”, që citon burime qeveritare, në letrën e dorëzuar prej tij lideri Kim Jong Un shpreh interesin për takimin, pa bërë konçesione apo presione në lidhje me çarmatimin bërthamor. Muajin e kaluar, Trump e anuloi samitin e Singaporit, por të dyja palët ruajtën kontaktet për ta mbajtur gjallë atë. /abcnews.al