Mbrëmjen e 6 tetorit, presidenti amerikan i sëmurë me Covid-19, la qendrën spitalore ushtarake Walter Reed dhe u transferua në Shtëpinë e Bardhë. Donald Trump bëri një kthim “dramatik” në Shtëpinë e Bardhë pasi u largua nga spitali ushtarak, ku u trajtua pasi rezultoi pozitiv për Covid-19.
Ndërsa kthehej në Shtëpinë e Bardhë, ai bëri një deklaratë tjetër kontroverse, duke theksuar se pavarësisht nga sëmundja e tij, populli amerikan nuk duhet të ketë frikë nga koronavirusi, që deri më tani u ka marrë jetën 210,000 amerikanëve.
Menjëherë pas postimit të tij në Twitter, Trump hoqi maskën dhe u fut në Shtëpinë e Bardhë. Deklarata kontroverse e presidentit amerikan sinjalizoi një alarm për të gjithë qarqet e specialistëve të sëmundjeve infektive në të gjithë botën.
Shumë prej tyre kanë deklaruar tashmë publikisht se, pavarësisht nga sëmundja e tij, Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk i rishikoi për asnjë moment taktikat e tij deri më sot, duke të kujtuar taktikat e një kalorësi të vetëm kundër sëmundjes…
Kështu e përshkruan Huffington Post kthimin e presidentit amerikan në Shtëpinë e Bardhë, përcjell abcnews.al
New York Times bën një përshkrim të ngjashëm.
Gazeta vëren: Duke u kthyer në rezidencën presidenciale nga spitali, presidenti deklaroi se sëmundja e tij nuk e ndryshoi mënyrën e qasjes së tij ndaj pandemisë.
“Mos kini frikë nga Covid”, tha presidenti. Një mesazh që mjekët në të gjithë botën e konsiderojnë jashtëzakonisht të rrezikshëm.
Kujtojmë se zgjedhjet presidenciale të SHBA do të mbahen në tre javë e gjysmë dhe se, në thelb, fushata zgjedhore ka qenë e ngrirë për shkak të sëmundjes së Trump. Është gjithashtu e qartë se pas sjelljes së presidentit amerikan gjatë daljes nga spitali, fushata zgjedhore do të vazhdojë në mënyrë të pashmangshme dhe kundërshtari i tij Joe Biden tashmë ka deklaruar se dy tele-betejat duhet të zhvillohen.
Kjo do të thotë që kthesa e fundit e kësaj fushate zgjedhore mund të jetë më e diskutueshmja dhe më e forta nga ato që kemi parë në dekadat e fundit. s.b/abcnews.al/