Policia ka reaguar për herë të parë në në lidhje me një ngjarje të rëndë që dyshohet se ka ndodhur në Malësi të Madhe.
Blutë bëjnë me dije se kanë marrë një denoncim për zhdukjen e tre personave në këtë zonë, për të cilët ka nisur tashmë kërkimi.
Gazetari Simon Shkreli bën me dije se bëhet fjalë për Vilson Pal Çutajn, Klement Nush Pepajn dhe Danjel Rrok Pepajn, për të cilët nuk ka gjurmë që prej pasdites së djeshme.
Lexo edhe: Tre të zhdukur në Malesinë e Madhe, flasin prindërit: Janë dëgjuar krisma, nuk kemi asnjë lajm
Denoncimi është bërë pikërisht nga vëllain i Vilson Çutajt.
Të afërmit shprehen për Abc News se pasditen e tre tetorit janë dëgjuar të shtëna na afërsi të fshatit, ndërsa dyshojnë se njëri prej tyre ka vrarë dy të tjerët dhe më pas ka kaluar në Mal të Zi.
Babai i Klement Pepajt, i zhdukur, theksoi se të rinjtë ishin zhdukur që prej 3 tetorit duke theksuar se policia i ka kërkuar, por pa rezultat.
“Klement Pepaj ka humbur vetë i tretë. Janë dëgjuar krisma me armë në drejtim të Razmës, në një zonë pyjore. Ne nuk dimë asgjë dhe nuk kemi asnjë lajm për ta. Policia ka bashkëpunuar me ne, i ka kërkuar por pa rezultat. Klementi është djali im, tjetri djali i dajës Vilson Cutaj, dhe djali i xhaxhait“, tha babai i Klement Pepajt.
I pyetur se për çfarë kishin shkuar të rinjtë në mal, ai shprehet se nuk ka dijeni pasi djali ishte shprehur se do të shkonte në kafe.
“Sipas të tjerëve, se unë nuk kam qenë në shtëpi. Djalin e kam lënë në shtëpi me gruan, ai ka thënë se do shkonte të pinte kafe me Vilsonin, kur jam kthyer në shtëpi nuk e kam gjetur. Djali nuk më ka njoftuar asnjëherë se ka pasur probleme“, tregon ai.
I pari që njoftoi për ngjarjen e rëndë ishte gazetari i Abc News, Artan Hoxha, i cili tha se ka dyshime të forta se tre të rinj ishin zhdukur në Malësinë e Madhe dhe dyshohet se mes tyre ka të vrarë. Sipas Hoxhës, të rinjtë janë konfliktuar për rrënjët e kanabisit.
Gazetari Simon Shkreli gjendet tani në vendin e ngjarjes dhe abcnews.al do të raportojë gjatë gjithë ditës në lidhje me situatën e krijuar në fshatin Vrith të Malësisë së Madhe.
Njoftimi i policisë
Më datë 04.10.2020, rreth orës 17:30, në Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe, ka bërë kallzim shtetasi O. Ç., banues në fshatin Bajzë, Malësi e Madhe, se me datë 03.10.2020, rreth orës 15:00, ka humbur kontaktet me vëllain e tij shtetasin V. Ç. 37 vjeç, banues në fshatin Bajzë, Malësi e Madhe, dhe me dy afërmit e tij (kushërinjë) shtetasit K. P. 21 vjeç, dhe D. P. 25 vjeç, të dy me banim në fshatin Vrith, Malësi e Madhe.
Shërbimet e Policisë pas kallzimit të bërë nga shtetasi O.Ç, kanë nisur kontrollet për gjetjen e këtyre shtetasve. /abcnews.al