Kriza e ka kaluar futbollin në shumë vende të botës. Pandemia e COVID-19 ka pasur një ndikim të madh, ndërkohë që në shumë vende vetëm sa ka dalë më shumë në pah. Shqipëria është një nga këto vende, madje Liga Profesioniste e Futbollit ka vendosur të bojkotojë kampionatin deri në plotësimin e disa kërkesave, mes tyre Ligji i Sponsorizimit i veçuar si më kryesori në daljet e fundit mediatike.
Edhe në Britaninë e Madhe, ku futbolli prodhon miliarda po ndjehet kriza financiare dhe BBC ka publikuar një artikull ku thuhet se futbolli rrezikon kolapsin. Një grup personalitetesh të shquara i ka drejtuar një letër qeverisë dhe kërkohet të ndihmohet futbollin me një paketë shpëtimi në mesin e krizës së imponuar nga koronavirusi. Mes firmëtarëve të letrës janë ish-presidentët e Federatës Angleze të Futbollit, Greg Dyke dhe Lord Triesman, aksionari i Sunderland, Charlie Methven, si dhe ish-futbollisti Robbie Savage.
Ata thonë se shumë klube të EFL (Liga Angleze e Futbollit) dhe National League tani po përgatiten të “ndalojnë së luajturi … dhe të vendosin biznesin e tyre në administrim”. “Ne do të kërkojmë që qeveria ta bëjë të qartë se çfarë mbështetjeje financiare është përgatitur të japë para se të jetë tepër vonë,” shkruan grupi në fjalë.
“Në mënyrë që klubet të mbajnë veten gjatë dimrit dhe të vazhdojnë të luajnë, ata do të duhet të kompensohen për humbjen e shitjeve të biletave të ndeshjes. Jemi ende në kohë për të vepruar, por nuk mund të pritet më gjatë”. Autoritetet ua kanë bërë të qartë klubeve që të përgatiten për disa muaj të tjerë pa të ardhura nga shitjet e biletave, pasi planet paraprake për rikthimin e tifozë në stadium nga 1 tetori u prishën javën e kaluar për shkak të numrit në rritje të rasteve të koronavirusit.
Kryetari i EFL-së, Rick Parry tha për “BBC Radio” të shtunën se disa klube “janë në prag të kolapsit”. Institucioneve përgjegjëse për sportin u është kërkuar që t’ia bëjnë të qartë qeverisë brenda të mërkurës faturën e humbjeve nga mos-shitja e biletave në gjashtë muajt e ardhshëm.
Qeverisë i është bërë e ditur se duhet të sigurojë fonde emergjente për të mbuluar humbjet e klubeve nga të ardhurat e ditës së ndeshjeve. “Mungesa e këtyre të ardhurave nuk është rezultat i veprimeve të tyre, por politikave që janë caktuara nga qeveria”, shkruan grupi.
“Pa një plan për të shpëtuar klubet e futbollit, shumë anëtarë të EFL-së dhe të tjerë në Ligën Kombëtare gjithashtu, tani po përgatiten që të ndalojnë së luajturi, të mbyllin akademitë e tyre dhe fondacionet komunitare dhe të shpallin falimentimin. Kjo mund të çojë jo vetëm në dështimin e shumë klubeve historike të komunitetit, por kolapsin e strukturës së ligës kombëtare që kemi njohur për mbi 100 vjet. Këto janë vendime që do të merren në javët e ardhshme, teksa shumë klube nuk janë në gjendje të përmbushin detyrimet e tyre për të paguar stafin muajin e ardhshëm”.
Grupi i referohet paketës së shpëtimit prej 1.5 miliardë sterlinash që qeveria iu dha organizatave të artit dhe kulturës në korrik. “Ne besojmë se futbolli, si sportet e tjera të dashura profesionale në këtë vend, është gjithashtu një aktivitet kulturor,” shtojnë firmëtarët, që presin ndihmë nga qeveria. /abcnews.al