Në procesin gjyqësor ndaj Izet Haxhisë, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit, prokuroria e Tiranës kërkoi të thirret si dëshmitar edhe Sali Berisha, por mbrëmjen e sotme, ish-kryeministri pasi tha se nuk kishte marrë asnjë thirrje, la të kuptohet se edhe nëse do të marrë nuk do të paraqitet, pasi procesin e cilëson politik dhe akuzon Edi Ramën.
“Unë e kam kryer detyrën time. Kam dhënë një dëshmi, e cila është shteruese, jo dëshmi, deklaratë, për ato që unë kam ditur. Ky është një proces i dytë politik. Vazhdon, Edi Rama hakmerret për Kristaq Ramën, Nexhmije Hoxhën, dhe për veten e tij, që shkoi në bunker në 20 shkurt.
Hapet procesi vetëm për të nxjerrë nga burgu vrasësin e kushedi sa personave, Jaho Salihi dhe pjesëmarrësin në këtë vrasje Izet Haxhinë. Qëllimi i Ramës është të realizojë atë skenar që realizoi me Dritan Dajtin. Rama ka marrë përsipër të nxjerrë nga burgu Jaho Salihin.
Ai kreu krim në emër të baballarëve të tij. Nuk e fal dot ai, natën e bunkerit ku u dergua të ikë nga Tirana me ngashërime. Të hapësh një proces që ka kaluar të gjitha shkallët, përfshirë edhe Kushtetuesen, në materie edhe Strasburgun. Tani këtë mund ta bëjë vetëm ai që ka të gjithë fuqinë ekzekutive”.
Por a e konsideron, Sali Berisha të zbardhur vrasjen e Hajdarit? “Si ekzekutorë janë të gjithë të dënuar. Nuk di të ketë qenë njeri tjetër. Porositësi është shteti, Fatos Klosi që ta thotë vetë, që unë e paralajmërova” tha ai.
Ish-kryeministri Sali Berisha rrëfeu mbrëmjen e sotme edhe atë që ndodhi më 22 qershor të vitit 1997 në mitingun në Tropojë. “Kërkova Fatmir Haklajn, e kërkuam sepse ishin bandë dhe ne po shkonim në Tropojë për të bërë fushatë. Shkuam në Fierzë, ata kishin zënë prita, unë u them përpara dhe jemi nisur. Asnjë intimidim, pengesë nuk pranoj. Shkova në Bajram Curr, ata nga zona aty, qëllonin, jo drejt njerëzve. Dhe unë urdhërova që të kapet dhe të sillet urgjentisht në Tiranë. Një bandit që qëllon me armë dhe prish rendin” tha ai. / db/Abcnews.al