Prokurorët turq kanë ngritur padi të dytë kundër gjashtë të dyshuarve sauditë mbi vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi në vitin 2018 në konsullatën e mbretërisë në Stamboll, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Turqisë.
Raportohet se dy nga të dyshuarit po përballeshin me akuza që mbajnë dënime të rënda me burgim të përjetshëm. Akuzat kundër katër të tjerëve sjellin dënim deri në pesë vjet burg.
Sipas aktakuzës, dy prej tyre ishin anëtarë të stafit të konsullatës dhe pjesë e ekipit që u largua nga Turqia pas kryerjes së vrasjes së gazetarit saudit.
Katër të dyshuarit e tjerë thuhet se akuzohen për ndërhyrje në prova duke shkuar në vendin e krimit menjëherë pas vrasjes.
Khashoggi, bashkëpunëtor i Washington Post dhe kritik i Princit të Kurorës Saudite Mohammed bin Salman (MBS), u pa për herë të fundit në konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor 2018, ku ai kishte shkuar për të marrë dokumente për martesën me të fejuarën turke Hatice Cengiz.
Trupi i 59-vjeçarit thuhet se u copëtua dhe u nxor nga ndërtesa kurse eshtrat e tij nuk janë gjetur ende. s.b/abcnews.al/