Juventusi tentonte fitoren përballë Romës në “Olimpico”, por në fund iu gëzua një pike. Cristiano Ronaldo “fluturoi” në ajër dhe gjeti golin e barazimit 2-2, ndërkohë që ekipi i tij po luante me një lojtar më pak pas daljes me të kuqe të Rabiot.
Trajneri i bardhezinjve, Andrea Pirlo analizoi takimin, duke vlerësuar edhe fazën mbrojtëse të ekipit kryeqytetas, aty ku aktivizohet edhe Marash Kumbulla, teksa jep një koment për Interin dhe Cristiano Ronaldon, autorin e dygolëshit.
“Pikë e rëndësishme, reagim i shkëlqyer pas golit të dytë të tyre. Djemtë u treguan të aftë kur mbetën me një lojtar më pak. U shfaqëm më të rregullt si ekip. Jemi një skuadër në ndërtim e sipër, e dinim që do hasnim vështirësi kundër Romës.
Sigurisht që bëmë një hap pas krahasuar me ndeshjen e parë, por kemi nevojë për kohë. Nuk kemi pasur shumë mundësi për të provuar skema të ndryshme në përgatitore, kështu që do na shërbejnë ndeshjet për të parë lojtarët në pozicionet e duhura.
Ata kanë mbrojtës agresivë, të cilëve u pëlqen të përfshihen në duele dhe janë të fortë në lojën një kundër një. Interi më i fortë se ne? Sigurisht që janë forcuar shumë krahasuar me sezonin e kaluar. Nuk e di cili ekip ka kontingjent më të mirë, e sigurt që do luftojmë deri në fund për titullin.
CR7? Në këtë sfidë nuk iu dha mundësia të godiste ndonjë goditje dënimi. Cristiano stërvitet mirë dhe është e rëndësishme të shënojë gola, ashtu siç bëri ndaj Romës. Jemi të lumtur që luan me ne. Na jep shumë sa i përket performancës dhe golave“, përfundon Pirlo. /abcnews.al