Para se të vinin protestuesit ambientet rreth godinës së kryeministrisë u populluan nga policia. Lëvizja e mjeteve u bllokuan që në orët e para të mëngjesit.
Puna filloi herët për ata që duhet të mbanin bllokuar rrugët ku ishte penguar kalimi. Për të tjerë, pati kohë edhe për një kafe mëngjesi.
Disa u përshëndetën nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili u dha garanci për një protestë pa shqetësime për policinë.
“Ju bëni vetting, ministri yt të mos bëjë. E drejtë është kjo? Absolutisht jo! Të bëjë vettingun ai se nuk i ndahemi. Punë të mbarë, mos kini merak, asnjë shqetësim s’do keni”– iu tha policëve, ish-Kryeministri Sali Berisha.
Pak para nisjes së protestës, qindra punonjës lanë hijet për të krijuar një kordon para kryeministrisë, ku u vu re edhe prania e efektiveve femra.
Çdo dinamikë u regjistrua nga kamerat e tyre trupore, por edhe nga kolegët në tarracat në dy anët e bulevardit. Forcat “RENEA” ato të “Ndërhyrjes se Shpejte” dhe mjetet specifike për shpërndarje protestuesish qëndruan në gatishmëri.
Ata nuk u angazhuan gjatë protestës tek kryeministria, por u panë sit ë nevojshëm gjatë acarimit të protestëusve tek Ministria e Brendshme.
Specialet u vendosën në kordonë dhe një pjesë e tyre në hapësirën mes ministrisë dhe Teatrit Kombëtar. Përvec pajime speciale, mburoja dhe skafandra, mes tyre kishte edhe të armatosur rëndë, për t’i paraprirë çdo situate. Policia e Shtetit njoftoi zyrtarisht angazhimin e 1500 punonjësve të policisë në mbarëvajtjen e protestës. /abcnews.al