U dëmtuan nga tërmeti, Bashkia e Tiranës merr vendimin për shembjen e pallateve në Kombinat

schedule10:49 - 27 Shtator, 2020

schedule 10:49 - 27 Shtator, 2020

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka marrë vendimin për shembjen e pallateve të dëmtuara nga tërmeti në Kombinat.

Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ekspertët vlerësuan se kostoja e riparimit të tyre kalon në vlerën mbi 70% duke theksuar se sipas ligjit, duhet të rindërtohen nga e para.

“Vendimi ka të bëjë me prishjen e detyruar të ndërtesave pallate, si rezultat i dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Ky vendim lidhet me pallatet në Njësinë 6, në zonën e Kombinatit, për të cilin në kemi zhvilluar 8 seanca maratonë, ku çdo pallat është studiuar dhe prezantuar në mënyrë transparente nga inxhinierët, me të gjithë librat e kontrolleve dhe akt-konstatimet e projekteve inxhinerike.

Nëse kostoja për të riparuar një pallat ‘të kohës së xhaxhit’, të bërë me punë vullnetare nga njerëz që nuk kanë qenë ndërtues, me materiale të varfra, me dije dhe njohuri e teknika të varfra, shkon mbi 70%, duhet rindërtuar. Pra, ky pallat kushton më lirë ta bësh nga e para se sa ta riparosh. Dua të siguroj se çdo banor i këtyre pallateve do vazhdojë të marrë bonusin e qerasë deri ditën që do marrë çelësat e apartamentit të ri në dorë.

Apartamenti i ri do të këtë një vlerë shumë më të madhe në treg se ai që kishin, dhe për sa kohë që merr diçka më të mirë e më të fortë për 100 vitet e ardhshme, bësoj se kjo është një formulë me vlerë më shumë se çdo improvizim tjetër apo spekulim”, shpjegoi Veliaj./mv. abcnews.al