Kryeministri Edi Rama ishte në vendndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane në Sharrë, ku u njoh me ecurinë e projektit. Zërat kritikë kundër ndërtimit të landfilllit në Fier, ai i konsideroi injorancë.
Me Sharrën e nisi ditën Kryeministri Edi Rama. Pas publikimit të videos shkoi ta shihte me sytë e tij, atë që e konsideron transformim të lemerisë së djeshme të venddepozitimit të mbetjeve.
I shoqëruar nga ekipi i investitorëve, projektuesve e zbatuesve të projektit, por edhe nga ministrat dhe përfaqësuesit e bashkisë, Kryeministri Edi Rama u njoh me përfitimet që sjell impianti i trajtimit të mbetjeve urbane në Sharrë.
Blendi Klosi: “Ajo që themi ne jemi të barazlarguar nga çdo formë mënyre e trajtimi, por ajo që po ndodh në Tiranë është mënyra më e mirë si mund të transformohet dhe Durrësi edhe çdo lanfill tjetër që kanë 27 vite që janë jashtë çdo standardi”.
Nga njëra anë, synimi është trajtimi i mbetjeve, duke zgjidhur një problem madhor, jo vetëm për kryeqytetin, si rezultat i ndotjes që shkaktojnë grumbullimi dhe djegia tradicionale e mbetjeve dhe nga tjetër, prodhimi i energjisë së rinovueshme, që do të hidhet në rrjetin elektrik të vendit.
Edi Rama: “Gjithë rezistenca ndaj landfillit të Fierit është injorancë dhe nga ana tjetër krijon një panik krejt të paarsyeshëm te njerëzit që kujtojnë se duke mos u ndërtuar në Fier janë më të mbrojtur. Ndërsa sot në të gjithë qytetin e Fierit për shkak së situatës së trashëguar është ndotje permanente, mirëpo në momentin që vjen kompania përpunimit krijohet ideja që po vjen një industri që do na ndosë ndërkohë që është e kundërta”.
Ndërkohë, projekti parasheh që e gjithë zona të kthehet në një zonë të pyllëzuar, duke u kthyer në një park natyror, i hapur për të gjithë.
Edi Rama: “Tirana do fitojë një park. Park real. Edhe Durrësi do fitojë një park. Parqe me 20-30 hektarë që nuk ka mundësi të imagjinohen në situatën që është sot dhe do jenë parqe për qytetin”./abcnews.al