Ndeshjet fantastike me Atalantën i sollën një ftesë nga kombëtarja gjermane, aty ku debutoi në sfidën e 3 shtatorit për Nations League ndaj Spanjës. Flasim për Robin Gosens, një prej lojtarëve më të dalluar të ekipit bergamask.
“Ishte e papërshkrueshme ndjesia që pata kur debutova me kombëtaren. Një eksperiencë e shkëlqyer, pasi i luajta të dy ndeshjet si titullar (me Spanjën dhe Zvicrën). S’do e harroj kurrë momentin kur nisi himni”, shprehet 26-vjeçari për Goal.
Gosens vazhdon edhe më tej, duke u ndalur te sezoni i ri në Serie A. Shumë skuadra janë përforcuar dhe do të bëjnë maksimumin për të rrëzuar Juventusin nga froni, por ata që bindin më shumë anësorin e majtë janë zikaltrit e Interit.
“Favoritët për titullin janë Juventusi dhe Interi. Këta të dytët ndoshta pak më shumë se Juvja. Janë tërbuar pas humbjes së Europa League dhe do të hidhen në sulm për fitimin e titullit kampion. Bardhezinjtë do ndikohen shumë nga Pirlo.
Nëse ai ia del të ndërtojë një sistem të ri dhe ekipi e përvetëson idenë e futbollit që dëshiron të luajë trajneri. Jam shumë kurioz për të parë se çfarë do të ndodhë. Mos të harrojmë Milanin, ishin një skuadër e shkëlqyer në fundin e sezonit të kaluar.
Më pas vijmë ne dhe Napoli. Duam të shfaqemi sërish protagonistë dhe të konfirmojmë gjërat e bukura që kemi bërë në 2-3 vitet e fundit. Sezoni i ri i Serie A do të jetë madhështor“, deklaron lojtari i Atalantës dhe “Pancerave”. /abcnews.al