Milani e nisi me fitore sezonin e ri në Serie A, teksa nesër zbret sërish në fushë për llogari të Europa League. Kuqezinjtë do të kenë përballë norvegjezët e Bodo/Glimt, duel që luhet në “San Siro” prej orës 20:00.
Fitorja e dërgon Milanin në “play-off” dhe djemtë e Stefano Piolit janë gati të mposhtin rivalët nordik. Trajneri prek disa tema në konferencën për shtypin, duke e nisur nga analiza e sfidës ndaj Bodo/Glimt.
“Nuk më pëlqen të mendoj se kemi gjithçka për të humbur, e mendoj si një takim ku kemi mundësinë për të fituar. Jemi në gjendje të mirë, sidomos në aspektin mental. Po përgatitemi sikur të ishte një ndeshje finale. Ju kam thënë djemve që duhet të luani sikur është ndeshja më e rëndësishme e jetës tuaj.
Kundërshtari? Ata kanë luajtur 20 ndeshje këtë sezon, nga të cilat kanë fituar 18 dhe kanë barazuar 2. Kanë dy sulmues krahu shumë të shpejtë. Janë një ekip që preferon të luajë gjithmonë futbollin e vet, kështu që do lënë hapësira pas.
Gjithsesi, nuk kanë pësuar asnjë humbje deri tani, kjo tregon se kanë shumë kualitet. Ibra? Jam befasuar nga gjendja e tij e shkëlqyer fizike. Pati disa siklete në fillim, por është shfaqur gati dhe në dispozicion menjëherë.
Një qendërmbrojtës nga merkato? Kam besim absolut te puna e drejtuesve, por bëjnë gjithçka për të përforcuar skuadrën. Në mbrojtje nuk jemi mirë, kemi të dëmtuar Romagnolin, Contin dhe Musacchion. Të shohim çfarë do të ndodhë.
Brahim Diaz ndodhet në gjendje të mirë. Nuk kam vendosur ende nëse do të luajë, por ai është gati. Jam shumë i lumtur për Calabrian, gëzohem kur lojtarët ia dalin t’i tejkalojnë momentet e vështira.
Davide ka vuajtur disa kritika dhe ndonjë vendim timin, por nuk është dorëzuar kurrë. Nuk më ka surprizuar, jam i lumtur që po paraqitet mirë dhe po tregon vazhdimësi“, deklaron Pioli. /abcnews.al