Shqipëria U21 shpall listën për miqësoret

schedule18:41 - 23 Maj, 2018

schedule 18:41 - 23 Maj, 2018

Shqipëria U21 pritet të ketë ndryshime të mëdha në përbërjen e saj. Trajneri Alban Bushi shpalli listën për tri miqësoret e radhës, me mjaft lojtarë që kanë kaluar në kombëtaren e drejtuar nga Panuçi.

Kjo punë ngjan me atë të pëlhurës së Penelopës.

Trajneri i Shqipërisë U21, Alban Bushi, nuk jeton në ato kohë të lashta, por shqetësimet i ka sot, ndërsa shpall një listë shumë të ndryshuar në krahasim me më parë, atë të lojtarëve për tri miqësoret e radhës.

Luhet ndaj Bosnjë-Hercegovinës e dy herë kundër Bjellorusisë, ndërsa përgatitjet bëhen për sfidat e fundit të eleminatoreve të Europianit.

Me mjaft lojtarë të marrë nga kombëtarja e Panuçit, Bushi nuk ka zgjidhje tjetër.

Alban Bushi: “Kemi menduar që ta rinovojmë ekipin për sezonin tjetër me datëlindjen ‘98, kemi ’99-sh, kemi 2000-sh dhe 2001-sh. Janë lojtarë të vegjël, por që luajnë në ekipe të mëdha. Një ndër ta është Lindon Selahi, i cili mendoj se shumë shpejt do të jetë te kombëtarja A. Kemi shumë mungesa me lojtarë që na kanë ikur si Ramadani, Abazaj, Manaj, Bare, të gjithë lojtarë që kanë ikur në kombëtaren A. Kemi disa probleme në repartin e mbrojtjes, pasi disa lojtarë që ne kemi thirrur pothuajse shumica janë mesfushorë, sulmuesa, shumë pak mbrojtësa kemi”.

Gjithsesi, trajneri e ka një problem.

Alban Bushi: “Shumica e lojtarëve na janë sugjeruar nga skautët tanë në Gjermani, Suedi apo në ndonjë vend tjetër. Shumicën e lojtarëve nuk i kam parë. Prandaj janë ndeshje miqësore do t’i fusim dhe do t’i shohim në vazhdim. Nëse ata e meritojnë të jenë pjesë e U21, bujrum le të luajnë, nëse nuk e meritojnë  nuk do të jenë më pjesë”.

Çfarë duhet të presin tifozët nga këto miqësore, thjesht kolaudim të ekipit apo edhe rezultate?

Alban Bushi: “Patjetër që rezultati duhet në futboll se futbolli është një garë dhe gjithmonë luhet për të fituar, por unë mendoj se tani jemi në periudhën e Qershorit, në periudhën kur kampionatet kanë përfunduar. Lojtarët nuk është se e kanë mendjen te grumbullimi, por ata duhet të bëjnë dhe një sforco tjetër 10-ditore për të dhënë maksimumin”.

Shqipëria U21 luan në 28 Maj ndaj Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa ndaj Bjellorusisë është në fushë në 5 e 8 Qershor, me të gjitha takimet në “Elbasan Arena”.

Skuadra Shpresa do të luajë në vjeshtë ndeshjet e fundit të Europianit, dy herë ndaj Spanjës dhe një kundër Estonisë./abcnews.al