Sindikata: Policia e Burgjeve probleme të mëdha, efektivët në stres, peticion qeverisë ose protesta

schedule16:31 - 20 Shtator, 2020

schedule 16:31 - 20 Shtator, 2020

Kryetari i Sindikatës së policisë, Valentin Maçaj akuzon se sistemi i burgjeve ka probleme të mëdha dhe është lënë pas dore, i harruar.  Sipas tij, mungojnë kushtet e punës, vakti ushqimor,uniformat e rregullta, transporti dhe kushtet në vendin e punës.

Për shkak të pandemisë po vuajmë mungesë në organikë, mangësi në pagesat e orëve shtesë të fundjavave dhe punonjësit ndihen në stres nga mungesa e etikës në komunikim nga ana e shefave të sektorëve përkatës. Problemet e Policisë së Burgjeve vazhdojnë të shtohen dita ditës për shkak të një heshtjeje të pamotivuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve lidhur me raportin e Auditit të Ministrisë së Drejtësisë, i cili ka udhëzuar ripagimin e orëve shtesë të papaguara dhe kthimin e shumave që u janë mbajtur padrejtësisht punonjësve të policisë së burgjeve,ndërkohë që problem është edhe vonesa e daljes së VKM lidhur me pagesën e re për Policinë e Burgjeve, që i ka filluar efektet ligjore që në 1 Gusht 2020”.

Maçaj ka folur edhe për të prekurit me koronavirus brenda burgjeve, duke u shprehur se, “aktualisht në sistemin e burgjeve në vendin tonë kemi pasur mbi 67 punonjës të prekur me Covid-19 dhe fatkeqësisht edhe një humbje jete, ndërkohë që kemi pasur edhe shumë të burgosur të infektuar që janë transferuar në Institucionin e Ekzekutimeve Penale në Lezhë. Në këtë institucion ka shumë probleme logjistike të theksuara, mungesë të kushteve të punës si dhe pamjaftueshmëri të ambienteve akomoduese për të dënuarit dhe të paraburgosurit, pasi tërmeti i Nëntorit ka dëmtuar dy godinat kryesore”.

Sipas Maçaj, punonjësit ankohen se mungojnë kushtet e higjienës në vendet e shërbimit, vakti ushqimor i punonjësit të policisë së burgjeve, edhe pse të gjitha këto janë të parashikuar me ligj. “Ka ardhur momenti që sindikata ti paraqesë qeverisë dhe instancave të tjera një peticion, duke kërkuar marrjen e masave për përmirësimim e situatës në sistemin penitenciar shqiptar,duke filluar nga rritja e pagave, kushtet e punës, vakti ushqimor, uniforma të rregullta, transporti, kushtet në vendin e punës, kutitë e ndihmës së shpejtë, sigurimi i jetës etj. Nëse nuk plotësohen këto kushte, shkalla e protestës së sindikatës do të vazhdojë në Bruksel” tha ai. db/Abcnews.al