Brahim Diaz, nga Real Madrid ka kaluar te Milani, dhe dëshiron të tregojë cilësitë e tij. Mesfushori me tipare sulmuese thekson se i pëlqen presioni, numri “10” dhe se kuqezinjtë mund të bëjnë gjëra të mëdha. Sigurisht nuk mungon as një koment edhe për Zlatan Ibrahimovic.
“Më pëlqen presioni, Milani është një klub i madh dhe normalisht ky presion ndihet. Duhet të fitosh, të marrësh tituj. E vërteta është se unë dua të tregoj gjithçka kam dhe të jem vendimtar e të ndihmoj ekipin me lojën time”, thotë fillimisht Diaz.
I ngacmuar në lidhje me numrin “10”, mesfushori për “Sportmediaset” shton: “Numri nuk luan, unë e kam thënë gjithmonë këtë edhe pse më pëlqen shumë numri 10. E kam pasur që fëmijë, por më pëlqen edhe 21-shi. E kisha në Madrid këtë numër”.
Po të stërvitesh me Zlatan Ibrahimovic si është? Diaz e vlerësim sulmuesin: “Ai është një lojtar i pabesueshëm, por edhe një njeri i shkëlqyeshëm”. Sigurisht mesfushori është pyetur edhe për objektivat dhe ai beson se ky Milan mund të arrijë gjëra të mëdha.
“Do të shohim ndeshje pas ndeshje dhe do përpiqemi të marrim sa më shumë pikë, për të fituar atë që kemi mundësi. Me këtë miks, mes lojtarëve të rinj dhe me ata me eksperiencë, mund të bësh gjëra të mëdha”, përfundon Diaz. / abcnews.al