Denis Matoshi alias Eldi Dizdari u arrestua dy ditë më parë në Dubai në kuadër të operacionit “Los Blancos”, që goditi kartelin shqiptar më të madh të kokainës që është zbuluar deri tani. Por si u zbulua vendndodhja dhe provat që çuan në arrestimin e Dizdarit? Koloneli Saeed Al Qamzi nga Departamenti i Personave në Kërkim në Policinë e Dubait në një intervistë për mediat vendase tregoi se pas informacioneve nga Italia, shqiptari po mbahej në monitorim për cdo lëvizje që bënte, raporton Abcnews.al.
“Pas shkëmbimit të informacionit me autoritetet italiane, ne identifikuam vendndodhjet e trafikantit të drogës dhe monitoruam lëvizjet e tij të përditshme dhe e arrestuam sapo morëm konfirmimin” shtoi koloneli Al Qamzi. “Së bashku me kriminalët e tjerë i dyshuari arriti të kontrabandonte dhe transportonte qindra tonë drogë në Evropë përmes porteve detare” tha ai.
Koloneli shpjegoi se Eldi Dizdari do t’i dorëzohet autoriteteve italiane të Interpolit. Shefi i policisë gjithashtu vlerësoi përpjekjet e bëra nga departamenti i përgjithshëm i ekipit të hetimeve, i cili lokalizoi, gjurmoi dhe ndaloi të dyshuarin. “Një ekipi oficerësh elitë iu caktua detyra menjëherë pasi shkëmbyen informacionin e nevojshëm me autoritetet italiane dhe Interpol” tha gjeneralmajori Al Mansouri.
Por cili ishte roli i Eldi Dizdarit? Sipas hetimeve, Dritan Rexhepi siguronte lëndën narkotike nga Ekuadori, e cila sillej në rrugë ilegale në Europë dhe këtu shpërndahej më pas nga grupi i Eldi Dizdarit, i cili njihet ndryshe edhe si Denis Matoshi. Nga operacioni “Los Blancos” janë sekuestruar miliona euro dhe tonelata kokainë, ndërsa u arrestuan 30 persona në 10 shtete, mes tyre 10 shqiptarë. db/ Abcnews.al