Armando Cungu bëri dy ndërrime në pushimin mes pjesëve, të detyrueshme sipas asaj që tha pas ndeshjes. Trajnerit të Laçit i kishte mbetur edhe një mundësi, teksa largoi Nwabuezen një minuta përpara fundit të ndeshjes për të hedhur në fushë mbrojtësin Malota.
Bardhezinjtë pësuan më pas dy gola në shtesa, duke u mposhtur 1-2. Nevil Dede, një nga të pranishmit në emisionin “Pressing” në ABC News, nuk është dakord me një ndërrim të tillë, mendim që e analizon.
“Nuk jam dakord me Cungun për ndërrimin e Nwabuezes. Ndoshta nuk do prekte asnjë top, por atë nuk duhet ta kishte prekur kurrë. Çdo gjë tjetër të bënte, por jo këtë zëvendësim.
Kush do merrte faulla, kujt do i jepej topi për të dalë para? Lushkja do e bënte atë punë? Atë që përhap panik te kundërshtari do të heqësh? Po flasim pas ndeshjes dhe po konstatojmë.
Nuk është qëllim për të sulmuar askënd, por duhet të dilte një nga anësorët. Paraqitja e Laçit në Europa League këtë sezon ishte shumë dinjitoze gjithsesi“, deklaron trajneri i Shqipërisë U19. /abcnews.al