Niko Kovaç, tek Bajerni si fitues i Kupës Gjermane

schedule12:46 - 20 Maj, 2018

schedule 12:46 - 20 Maj, 2018

Niko Kovaç i bëri mbylljen më të mirë detyrës si trajner i Frankfurtit, duke fituar Kupën e Gjermanisë. Kroati mposhti në finale Bajernin, skuadrën që do të drejtojë sezonin e ardhshëm

“Mbreti vdiq, rroftë Mbreti”.

Parulla mesjetare franceze i shkon më së miri, ndonëse simbolikisht, Bajernit të Mynihut që sapo humbi një trajner të madh, por që mori menjëherë një tjetër teknik, që duket ai i duhuri.

Jup Hajnkes nuk e mbylli dot me lavdi epokën e tij të fundit si trajner, ndërsa Niko Kovaç u nda nga Frankfurti më së miri, duke i dorëzuar Kupën e Gjermanisë përpara sesa të marrë Bajernin në dorëzim.

Ishte një finale dramatike në stadiumin “Olimpik” të Berlinit, me bavarezët natyrshëm më të mirë, por me Ajntrahtin me besim, qetësi dhe me fat.

Presioni i kampionëve nuk dha atë që pritej, ndërsa mbrëmja ishte e duhura për ekipin më pak favorit.

Në fushën berlineze, ishte kroati tjetër, Ante Rebiç, që bëri protagonistin.

Sulmuesi shënoi golin e parë në 11’, pastaj kaloi në epërsi për së dyti Ajntrahtin në 82’, ndërsa Robert Levandovski kishte barazuar në 53’.

Bajerni goditi dy herë shtyllat (me Levandovskin e Humelsin), por golat ishin të kundërshtarëve, me Mijat Gaçinoviçin që vulosi shifrat 3-1.

Pati po ashtu dhe dy vendime të gjyqtarit të dhëna me ndihmën e teknologjisë VAR.

Fillimisht, për një penallti të pretenduar nga ekipi i Hajnkesit dhe pastaj sërish për një 11-metërsh të pretenduar, por asnjëra nuk u dha.

Një fatkeqësi që karriera e Hajnkesit përfundoi kështu, por në futboll fituesi mund të jetë vetëm një, jo dy.

Bajerni luftoi fort dhe dominoi jo pak.

Mbajti topin 77 për qind, më shumë sesa çdo ekip I Guardiolës, gjuajti 22 herë në portë, ndaj vetëm 8 të kundërshtarit, por shënoi vetëm 1 gol ndaj 3 të Ajntrahtit.

Nuk vlejti as diferenca masive në Bundesligë, me bavarezët kampionë dhe Frankfurtin të 8-in, plot 35 pikë prapa.

Skenat ishin vërtet mbresëlënëse në fund, edhe ato të lojtarëve në fushë, edhe të tifozëve që kishin 30 vjet që e prisnin këtë fitore.

Vjet, Kovaç e udhëhoqi ekipin deri në finale, por aty u dorëzua përpara Dortmundit, këtë sezon arriti majën.

Kroati 46-vjeçar, lindur pranë Berlinit, dhe rritur me shiritin e kapitenit të kombëtares në krah, u provoi drejtuesve bavarezë se nuk ishin gabuar.