Qeveria e Shkupit ka reaguar pasi Greqia refuzoi emrin e ri të zgjedhur, i cili është “Republika Ilinditase e Maqedonisë”. Ekzekutivi që drejtohet nga kryeministri Zaev, nënvizon se shpreson që Athina të mirëkuptojë dhe pranojë emrin e ri.
Republika Ilinditase e Maqedonisë është emër me përcaktim kohor i cili bazohet në data konkrete nga e kaluara dhe është mundësi reale për kompromis dhe i kënaqë të dyja palët. Kështu thuhet në reagimin e Qeverisë së Shkupit, pas refuzimit të palës greke për përzgjedhjen e emrit të ri. Nga ekzekutivi i Shkupit shprehen se shpresojnë që propozimi do të mirëkuptohet dhe të pranohet në Athinë. Sipas tyre me këtë emër bëhet përcaktim kufitar me rajonin e Maqedonisë në Greqi.
“Kryengritja e Ilindenit është luftë e përbashkët e popullit tonë multietnik për të drejtat dhe liritë sociale. Dhe nuk ka aspirata territoriale ndaj asnjë vendi fqinj, duke përfshirë edhe Greqinë. Kjo është lufta e njëjtë e vitit 1903 dhe 1944”, thuhet në njoftimin e qeverisë maqedonase.
Nga ekzekutivi po ashtu kanë shtuar se do të vazhdojnë bisedimet me palën greke deri në gjetjen e zgjidhjes përfundimtare për kontestin e emrit. Ndërkohë, të shtunën të gjitha partitë opozitare greke kanë refuzuar propozimin e Maqedonisë duke thënë se jo vetëm nuk I jep fund irredentizmit por e shton më tepër atë. /abcnews.al