Tregu i gjësë së gjallë në Kukës i boshatisur

schedule15:17 - 19 Maj, 2018

schedule 15:17 - 19 Maj, 2018

Tregu i blegtorëve në Kukës rrezikon ekzistencën e tij. Tregtarët e gjësë së gjallë të ardhur nga zonat e thella thonë se ka rënë kërkesa dhe për pasojë nuk ka treg. Ata paralajmërojnë mbyllje të fermave të tyre.

Bujar Muçmata:“Siç duket nga pamjet, tregu i gjësë së gjallë që përfshin edhe Hasin ka ardhur gjithmonë e në tkurrje. Dhe sot ka shumë pak bagëti, ndryshe nga vitet e tjera”.

Blegtorët e Kukësit kanë dalë nga një dimër i gjatë. Shpresa e tyre ishte nxjerrja e fitimeve nga shitja e bagëtive në pranverë. Por tregu thuajse i boshatisur nuk ofron asgjë.

“Shumë dobët sivjet, shumë dobët.”

Çmimet kanë rënë ndjeshëm dhe kërkesa është ulur.

“As ka kërkesë, as shitet, as blehet se s’ka lekë”.

Njëri prej tyre ka udhëtuar më shumë se 60 kilometra për të gjetur tregun e zbrazur. Kur nuk ka shitje, ekonomia e fermerëve bie. Ata i kanë humbur shpresat për një rregullim të tregut edhe fermat e tyre zvogëlohen në numër çdo ditë./abcnews.al

Gazetar i ABC News në Kukës, Bujar Muçmata