Kancelarja gjermane, Angela Merkel, është pritur në Rusi nga Presidenti rus, Vladimir Putin. Ndër temat kryesore të takimit në Soçi ishin gazsjellësi mes Rusisë dhe Gjermanisë, marrëveshja bërthamore e Iranit dhe Ukraina.
Pas takimit me Bashar Al Assad, ka qenë kancelarja gjermane Angela Merkel, ajo që është pritur në Soçi nga Presidenti rus, Vladimir Putin. Kanë qenë të shumta temat ndërkombëtare në rend të ditës mes të cilave dhe marrëveshja iraniane për cështjen bërthamore dhe kriza ukrainase.
Angela Merkel udhëtoi në Rusi, duke shënuar vizitën e parë të kancelares gjermane në Rusi pas takimit të tensionuar të një viti më parë, si pasojë e konfliktit në Ukrainën lindore dhe për ndërhyrjet ruse në zgjedhjet europiane.
Kësaj here kancelarja gjermane dhe lideri i Kremlinit janë më pranë, çdo gjë për shkak të vendimeve të Presidentit amerikan, Donald Trump, në fushën e politikës së jashtme. Të dy në mandatin e tyre të katërt, Putin dhe Merkel duan të mbrojnë sipërmarrjet e tyre nga sanksionet amerikane, të shpëtojnë gazsjellësin e të “Nord Stream 2” që do të çojë gaz rus në Gjermani dhe të mbrojnë marrëveshjen për programin bërthamor Iranian që u braktis nga Uashingtoni.
Administrata e Trump ka kërcënuar me vendosjen e sanksioneve ndaj kompanive që do të punojnë në gazsjellës, dhe pikërisht një ditë më parë, u bë e ditur se në muajin Prill, Presidenti amerikan i ka bërë një propozim Gjermanisë, i cili nuk i ka pëlqyer Merkelit: të braktisë projektin për gazsjellësin e ri rus dhe në shkëmbim të kësaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të negociojnë një marrëveshje tregtare me Bashkimin Europian.
Ndërkohë Berlini dhe Moska bëjnë pjesë në grupin 5 plus 1 që në vitin 2015 negocioi marrëveshjen mbi programin bërthamor Iranian, dhe nuk kanë ndërmend ta braktisin pavarësisht tërheqjes së njëanshme të Uashingtonit. Me vendimin e tij, Trump në fakt ka bërë të mundur një afrim mes Kremlinit dhe Europës, gjë që pas helmimit të ish-spiunit rus Skripal në Britaninë e Madhe, dukej e pamundur. Irani është një nga temat kryesore që do të jetë në qendër të bisedimeve dhe mes Presidentit rus Putin e homologut francez Emmanuel Macron, javën e ardhshme në Forumin Ekonomik në Shën Petërburg.
Në axhendë është dhe kriza në Ukrainën lindore dhe rezoluta e konfliktit sirian sidomos pas vizitës së mënjëhershme të Bashar Al Asad në Soçi. Por përsa i përket sanksioneve europiane të vendosura ndaj Rusisë si pasojë e konfliktit në Ukrainë, Merkel nuk ka ndërmend të tërhiqet./abcnews.al