Aksidenti tragjik në Elbasan, babai i vajzës që ishte në timon: Po shkonin në ditëlindje

schedule13:36 - 14 Shtator, 2020

schedule 13:36 - 14 Shtator, 2020

Po shkonin të festonin ditëlindjen e Lusinda Garunjës e cila iku nga kjo botë në 19-vjetorin e saj të lindjes. Kjo është ajo që tregon babai i Denisa Dibrës, vajzës që drejtonte automjeti tip “Volswagen” ditën e djeshme, në momentin kur u godit nga pas nga një makinë tip “Benz” në dalje të tunelit të Krrabës.

Gazetari i RTSH Edmond Dibra thotë në një lidhje për ABC News se vajza e tij është përmendur prej orës 05:00 të mëngjesit, ndërsa nuk mban mend asgjë nga aksidenti. Ndërsa shoqja e saj, Nervida Garunja është në gjendje më të rëndë shëndetësore dhe aktualisht ka nevojë për dhurim gjaku.

Familjarët e kësaj të fundit tashmë ndodhen në Shkodër ku kanë hapur dyert e mortit për të përcjellë për në banesën e fundit, motrën e vogël të Nervidës, Lusindën. E vdekur nga përplasja e një dite më parë mbeti edhe Xheneta Qallia.

“Vajzat po ktheheshin nga një gëzim. Vajza ime është jashtë rrezikut për jetën. Po shkonin në Tiranë për ditëlindjen e njërës prej tyre. Lusinda do të festonte 19-vjetorin e lindjes. Goca ime është përmendur në orën 05:00 të mëngjesit dhe nuk e mban mend aksidentin, ka kërkuar shoqet e saj.

Shkova te spitali i Traumës dhe aty pashë vajzën. Gjendja e Nervidës është kritike. Vajza ka nevojë për dhurim gjaku. Familja e saj ndodhet në Shkodër dhe presin trupin e Lusindës”, u shpreh ai.

Behar Pema, shoferi i automjetit tip ” Benz” që goditi nga pas makinën ku udhëtonin katër vajzat ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi 160 km në orë.Sipas ekspertëve auto-teknikë ai nuk ka frenuar, pasi gjatë ekspertimit në vendin e ngjarjes nuk ka pasur shenja frenimi.

Nervida Garunja i tha policisë ditën e djeshme se shoferi lëvizte nga një anë në tjetrën para se të ndodhte përplasja. Pema rezultoi i dehur në testin e alkoolit të kryer menjëherë pas ngjarjes dhe u vu në pranga nga uniformat blu./m.v. abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!