Tension dhe debate në mbledhjen e kryesisë së PD

schedule18:39 - 22 Shtator, 2017

schedule 18:39 - 22 Shtator, 2017

Nuk kanë munguar debatet dhe tensionet deri në prag të një konfrontimi fizik në mbledhjen e kryesisë së PD, të thirrur pasditen e djeshme nga kreu i kësaj force Lulzim Basha. Debati ka nisur pas analizës së garës për kryetar të partisë.

Tensioni dhe debatet e ashpra shoqëruan mbledhjen e parë të kryesisë së Partisë Demokratike, pas humbjes së thellë historike në zgjedhjet e 25 qershorit. Anëtarë të kryesisë i adresuan Lulzim Bashës kritika të drejpërdrejta, për mënyrën e drejtimit të partisë, për shkëputjen e saj nga baza dhe për vetë procesin zgjedhor që e nxorri atë sërish kryetar.
Jamarbër Malltezi i vuri në dukje faktin se asnjë provë e vjedhjes apo blerjes së votës nuk u dokumentua.

Ai i kërkoi Bashës të mbante qëndrim burrëror jo vetëm ndaj humbjes dërrmuese, por edhe ndaj fakteve të publikuara në media se edhe procesi për rizgjedhjen e tij në krye të PD u manipulua.

Zërat që kërkuan një analizë të thellë dhe marrjen e përgjegjësive për humbjen në zgjedhje Lulzim Basha i quajti të nxitura nga Edi Rama.

Por Arben Imami një prej themeluesve të Partisë Demokratike iu përgjigj duke thënë se ai është i pabesueshëm kur flet për bashkim të Partisë Demokratike.

Diskutimet e ashpra çuan në prag incidentesh, kur Jemin Gjana u ngrit nga vendi dhe iu drejtua anëtares së kryesisë Valbona Mezini, për ta goditur siç thonë burime brenda mbledhjes.

Në mbrojtje të zhvillimeve në Partinë Demokratike dhe duke justifikuar faktin që listat për kandidatët për deputetë nuk u diskutuan në kryesi, Gjana tha se kështu ishte vepruar edhe në vitin 2011 në zgjedhjet lokale apo 2013 në zgjedhjet e përgjithshme, nën drejtimin e Berishës, duke u shprehur se kryesia nuk ishte mbledhur asnjëherë në këtë periudhë.