Arsenali e nis me tre pikë dhe po kaq gola të shënuar sezonin e ri në Premier League. Djemtë e Mikel Artetës triumfuan 0-3 në fushën e Fulham në sfidën hapëse të sezonit 2020/2021 në ishull.
Alexandre Lacazette zhbllokoi shifrat në minutën e nëntë, teksa Gabriel dyfishoi me kokë në fillimin e pjesës së dytë. Debutim me gol për mbrojtësin brazilian të ardhur nga Lille. Rrjetën e gjeti edhe Pierre-Emerick Aubameyang.
Kapiteni mori një asist nga Willian (dy asiste për brazilianin e ardhur nga Chelsea në ndeshjen e parë me Gunners), lëvizi bukur në krahun e majtë dhe shënoi një eurogol në minutën e 57-të.
Sfida nuk prodhoi më gola. Rikthim me humbje në Premier League për vendasit, ndërsa “Topçinjtë” e nisin mbarë, duke treguar se do të jenë një rival i vështirë për të gjithë këtë sezon. /abcnews.al
Premier League, java e parë
Fulham-Arsenal 0-3
(Lacazette 9′, Gabriel 49′, Aubameyang 57′)