Forcimi i lekut dhe zhvlerësimi i euros muajt e fundit, sipas ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, ka ardhur për shkak të forcimit të ekonomisë. Në një konferencë për shtyp, Ahmetaj gjithashtu paralajmëroi ndryshime fiskale.
Biznesve që i shprehën shqetesimin se me zhvlerësimin e monedhës europiane po dëmtohet konkureshmëria e mallrave shqiptare e po i ulen fitimet, ministri i Financave i dha këtë përgjigje.
Arben Ahmetaj: “Qeveria nuk bën ndërhyrje në kursin e këmbimit dhe do të ishte e gabuar të bëheshin ndërhyrje. Për eksportuesit e fasonëve, luhatja e kostove nga kursi është e kufizuar nga 2 në 3%, për shkak se ata kanë një vlerë të shtuar të ulët, prej maksimumi 20%. Eksportuesit të shohin më shumë nga produktiviteti dhe jo nga kostot”.
Monedha europiane javën e shkuar njohu nivelin më të ulët të dhjetë viteve të fundit duke arritur në 126. 8 lekë. Pas këtij zhvleresimi, opozita thotë se qëndrojnë paratë e kanabisit që qarkullojnë në ekonomine vendase, por për ministrin e Financave, arsyet janë të tjera.
Arben Ahmetaj: “Ai reflekton faktorët fondametalë, si përmirësimi i bilancit të pagesave, akomodimi i politikave dhe investimet e larta të huaja. Në gjithë rajonin, si Serbi, Kroaci, monedha vendase po forcohet për shkak të përmirësimit të ekonomisë së rajonit dhe Shqipëria nuk bën përjashtim. kursi i këmbimit është ndër më të qëndrueshëm në rajon”.
Ndërkohë, ministri i Financave lajmëroi se rritja e xhiros vjetore të bizneseve nga 8 milionë lekë në 14 milionë lekë si prag për të përcaktuar ndryshimin e tatim fitimit, 15% dhe 5% hyn në fuqi janarin e vitit që vjen.
Arben Ahmetaj: “Prek 10,850 biznese, që janë gjysma e bizneseve që paguajnë tatim fitim në nivelin e 15%”.
Ndryshime do të ndërmerren edhe në ligjin për koncesionet. Në thelb, sipas ministrit të Financave, do të jetë heqja e propozimeve të pakërkuara nga biznesi.
Ndërkohë Ahmetaj bëri dhe një panoramë të ekonomisë në vend, për të cilën tha se arriti rritjen më të madhe në 10 vjet, me 3.84%, ritëm me të cilin pritet të vazhdojë. Ministri i Financave arsyetoi se kjo është pasoje e investimeve të brendshme, të huaja dhe përmirësimi i klimës së biznesit në vend. Ndërsa papunësia është më e ulëta në rajon./abcnews.al