Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy zhvilloi ditën e sotme një bisedë telefonike me Kryetarin e Përgjithshëm të OSBE-së, kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në mënyrë që të koordinojë përpjekjet për një zgjidhje paqësore në Donbas.
Zyra e shtypit të Presidentit ukrainas thotë se Zelenskyy tërhoqi vëmendjen për shkeljet e marrëveshjeve nga grupet e armatosura ilegale, përfshirë bombardimet e pozicioneve ukrainase në 6 dhe 10 shtator.
“Ne nuk duam një përshkallëzim të ri. Më 6 shtator, si rezultat i provokimit nga grupet e armatosura ilegale, ne kemi humbur një ushtarak të Forcave të Armatosura dhe njëri u plagos” tha Volodimir Zelenskyi.
Zyra e shtypit të Presidentit ukrainas, thekson se nga ana e tij, kryetari i Përgjithshëm i OSBE-së Edi Rama, mbështeti përpjekjet për të arritur paqen në rajon dhe siguroi gatishmërinë për të kontribuar.
“Hapat e ndërmarrë nga Presidenti ukrainas dhe populli ukrainas drejt paqes janë shumë të guximshëm. Më vjen keq për mungesën e lëvizjes së ndërsjellë të palës tjetër në këtë drejtim. OSBE është një organizatë e paanshme, por jo indiferente” tha ai.
Volodymyr Zelenskyy dhe Edi Rama theksuan rëndësinë e sigurimit të hyrjes së plotë të Misionit Special të Monitorimit të OSBE-së në të gjithë territorin e pakontrolluar. Në fund të bisedës, Edi Rama e ftoi Volodymyr Zelenskyn të vizitojë Shqipërinë.
Konfliktet vazhdojnë në Ukrainën lindore midis separatistëve pro-rusë, që nga viti 2014. Në Janar Edi Rama vizitoi Ukrainën. /db/Abcnews.al