Aktorja shqiptare, Zhaklina Dhimojani Blättler e larguar nga Shqipëria prej vitit 1990 i ka kthyer sytë nga vendi i saj në periudhën më të vështirë.
Ajo ka dhuruar disa respiratorë për Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, për të ndihmuar pacientët e infektuar nga Covid-19. Lajmi është bërë publik në faqen zyrtare të ambasadës shqiptare në Bernë të Zvicrës.
Në njoftim thuhet se aktorja gjatë 30 viteve që ka punuar dhe jetuar në Zvicër ka ndihmuar me donacione të ndryshme për Bashkinë e qytetit të Himarës, vendi nga ku ka origjinën.
“E larguar nga Shqipëria në vitet 90-të, Zhaklina Dhimojani Blättler, nuk e ka harruar asnjëherë vendin e saj të lindjes.
Aktorja e njohur për publikun shqiptar, ka dhuruar sot përmes Ambasadës shqiptare në Bernë, disa respiratorë për Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, që do të ndihmojnë më tepër të prekurit nga Covid-19. Ambasada e RSH në Bernë i shpreh falenderime dhe mirënjohje Z. Blättler, që gjatë këtyre viteve në Zvicër ka dhënë ndihmën e saj në fushën sociale, ka promovuar artin dhe kulturën tonë në Diasporë dhe ka kontribuar me donacione të ndryshme për Bashkinë e qytetit të Himarës, prej nga ajo ka origjinën”, thuhet në njoftim./m.v. abcnews.al