Samiti i Sofjes: Gjuha e draft-konkluzioneve për perspektivën europiane

schedule14:54 - 16 Maj, 2018

schedule 14:54 - 16 Maj, 2018

Në samitin e Sofjes, liderët europianë do të diskutojnë perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit, ABC News ka siguruar një ditë më parë dokumentin e draft-konkluzioneve të samitit, ku rikonfirmohet perspektiva europiane të vendeve të Ballkanit, por nuk përmendet zgjerimi i Bashkimit Europian me vendet e rajonit. Liderët europianë i mëshojnë qartësisht angazhimit për transformimin politik, ekonomik dhe shoqëror para se të flasin për anëtarësim.

“Samiti i Sofjes është prezantuar si një samit kyç për integrimin europian të vendeve të Ballkanit. 15 vjet pas perspektivës europiane që iu dha vendeve të Ballkanit në Samitin e Selanikut të 2003, samiti i Sofjes pritej të konfirmonte anëtarësimin e ardhshëm të vendeve të Ballkanit në këtë organizatë. Por në draft-konkluzionet e samitit të liderëve europianë, gjuha e përdorur nuk është në lartësinë e ambicies së vendeve të Ballkanit. Aty nuk përmendet as togëfjalëshi anëtarësim i ardhshëm dhe as termi zgjerim. Liderët europianë i mëshojnë qartësisht angazhimit për transformimin politik, ekonomik dhe shoqëror para se të flasin për anëtarësim”.

Në draft konkluzionet e samitit, Bashkimi Europian përshëndet angazhimin e përbashkët të partnerëve të Ballkanit Perëndimor për vlerat dhe parimet evropiane dhe vizionin e një Evrope të fortë, të qëndrueshme dhe të bashkuar. Aty nënvizohet se ky vizion mbështetet në lidhjet historike, kulturore dhe gjeografike dhe në interesat e përbashkëta politike, ekonomike dhe të sigurisë. Por në draft-konkluzionet mungon termi zgjerim dhe togëfjalëshi anëtarësim i ardhshëm. Aty flitet vetëm për ripohim të perspektivës europiane.

“Duke rikujtuar Samitin e Selanikut të vitit 2003, Bashkimi Europian rikonfirmon mbështetjen e tij të qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në draft konkluzionet e samitit.

Nga ana tjetër, liderët europianë mbështesin zgjedhjen e fortë strategjike për përforcimin e përpjekjeve të vendeve të Ballkanit dhe mbështetjen reciproke për perspektivën evropiane. Por sipas tyre, besueshmëria e këtyre përpjekjeve varet nga komunikimi i qartë publik.

“BE është e vendosur të forcojë dhe intensifikojë angazhimin e saj në të gjitha nivelet për të mbështetur transformimin politik, ekonomik dhe shoqëror të rajonit, duke përfshirë edhe asistencë në rritje për vendet e Ballkani bazuar në progresin e prekshëm në sundimin e ligjit, si dhe në reformat socio-ekonomike”, thuhet në draft-konkluzionet e samitit.

BE përshëndet angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për parësinë që i japin demokracisë dhe sundimit të ligjit, veçanërisht  luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, qeverisjes së mirë, si dhe respektimin e të drejtave të njeriut tdhe minoriteteve.

“Zbatimi efektiv i këtyre reformave mbështetet në këto themele. Shoqëria civile dhe mediat e pavarura luajnë një rol vendimtar në procesin e demokratizimit”, thuhet në draft-konkluzionet e samitit.

Në aspektin rajonal, BE-ja mbështet gjetjen dhe zbatimin e zgjidhjeve përfundimtare përfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet  dypalëshe të rrënjosura në trashëgiminë e së kaluarës dhe përkushtimin e përpjekjeve shtesë për pajtimin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!