Thomas Brdaric, trajneri i Vllaznisë, pas fitores së arritur me Teutën ditën e djeshme, ka folur për mediat dhe ka theksuar se për të rëndësi ka loja dhe jo rezultati. Mes të tjerash ai foli edhe për shtyrjen e kampionatit dhe nevojën e Vllaznisë për të afruar një tjetër sulmues.
“E para vlen loja dhe ajo që ne i kemi dhënë skuadrës gjatë stërvitjes për të aplikuar. E kam thënë edhe më parë, më intereson më shumë si skuadra i aplikon ato që merr në stërvitje. Kemi luajtur kundër një skuadre si Teuta, ndryshe nga ekipet që jemi përballur më parë. Për mua nuk ishte rezultati në plan të parë”, tha tekniku gjerman.
Ai ka komentuar më pas shtyrjen e Superiores: “Duhet të jemi gati, por nuk e di kur do nisë. Duhet të jemi gati për çdo datë. Nuk është e lehtë të përgatitësh një ekip kur nuk e di se kur do e fillosh kampionatin. Është shumë e vështirë të ndërtosh një ekip nga zero.
Ne punojmë çdo ditë për të bërë një ekip. Individët duhet të shkrihen në grup. Besoj se do të jemi gati kur të nisë kampionati. Sulmuesi? Nuk është puna a do sjellim lojtar. Nëse do mundemi, patjetër që do tentojmë ta marrim nëse është një i lirë. Na intereson një sulmues”. /abcnews.al