Investimet e huaja shënuan rënie në gjashtëmujorin e parë të vitit, si rrjedhojë e përfundimit të projektit TAP, por edhe krizës së shkaktuar nga Covid-19, që paralizoi ekonominë në tremujorin e dytë.
Gjithsesi, tkurrja ka qenë e moderuar, me rreth 17% në krahasim me janar-qershor 2019.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja direkte ishin 454 mln euro në gjashtëmujorin e parë, nga niveli i lartë rekord prej 546 milionë euro që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në tremujorin e dytë, investimet e huaja ishin 221 milionë euro, me një tkurrje prej 11% me bazë vjetore.
Sipas Bankës së Shqipërisë, fluksi i investimeve të huaja direkte në formën e zgjerimit të kapitalit, vijon i përqendruar në sektorin e energjitikës (në masën 38%), të ndërmjetësimit financiar (në masën 21%) dhe telekomunikacionit (në masën 11%). Rënia vërehet e përqendruar në ecurinë e sektorit të hidrokarbureve.
Gjatë tremujorit të dytë, Bankers Petroleum, që është investitori më i madh në fushën e hidrokarbureve ndërpreu prodhimin për herë të parë për disa javë, si rrjedhojë e rënies së kërkesës nga situata e krijuar nga Covid-19. Kompania ka raportuar se nga qershori i është rikthyer sërish normalitetit.
TAP drejt përfundimit
Gazsjellësi TAP, i cili do të transmetojë gaz nëpërmjet Shqipërisë nga fushat Shah Deniz në Azerbajxhan në tregjet e Europës ka përfunduar 97 për qind të punimeve, bëjnë te ditur burimet zyrtare nga kompania.
Burimet zyrtare nga projekti sqarojnë se, realizimi 97 për qind i punimeve përfshin të gjithë fushën e inxhinierisë, prokurimeve si dhe ecurinë sipas 12 hapave të ndërtimit të tubacionit në pjesën tokësore, ndërtimin e impianteve mbi sipërfaqe (stacionet e valvulave të bllokimit, stacionet e kompresorëve dhe terminalin pritës të gazsjellësit) si dhe ndërtimin e instalimin e pjesës detare të gazsjellësit.
TAP ishte investimi më i madh që ka pasur ndonjëherë vendi, me një vlerë prej 1.5 miliardë eurosh. Punimet për ndërtimin e tij i dhanë një hov investimeve të huaja direkte gjatë viteve të fundit. Por, pas përfundimit të projektit, efekti i këtij investimi në ekonominë e vendit pritet të jetë minimal, pasi vendi nuk ka një infrastrukturë për shfrytëzimin e gazit. Projekti parashikon dy dalje në Shqipëri, ndërsa ka dhe plane afatgjata për ndërtimin e rrjeteve të transmetimit në zonën qendrore të vendit dhe lidhjet me rajonin, që janë ende në fazën e studimeve të fisibilitetit./marrë nga monitor/