Një zonë e përbashkët ekonomike ndihmon në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me histori të gjatë politike, thotë Majlinda Bregu në intervistë për Deutsche Welle-n
Këtë javë u zhvillua në Berlin Konferenca e Pestë e Ambasadorëve të Ballkanit Perëndimor. Ishte një nismë e ambasadave të Shqipërisë dhe Kroacisë në Berlin, si edhe e Fondacionit Konrad Adenauer për të këmbyer ide për të ardhmen e rajonit. E veçanta e këtij takimi, ku merrte pjesë i ngarkuari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ishte fokusi transatlantik. Aty mori pjesë edhe Majlinda Bregu, koordinatorja e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, të krijuar në kuadër të Procesit të Berlinit,
Deutsche Welle: Zonja Bregu, ju morët pjesë në Berlin në Forumin e Ambasadorëve të Fondacionit Konrad Adenauer për Ballkanin Perëndimor. Cila qe risia e kësaj konference?
Majlinda Bregu: Është gjithmonë mirë, dhe këtë radhë ishte edhe më interesante, sepse ishte takimi i parë fizik pas kaq muajsh pune vetëm online. Por, e rëndësishme është që Ambasada Shqiptare në Berlin, në bashkëpunim me atë kroate dhe Fondacionin Konrad Adenauer gjetën një moment interesant për shkak të presidencës gjermane për të diskutuar mbi zgjerimin, por edhe mbi bashkëpunimin transatlantik dhe se sa i rëndësishëm është ai për të gjithë vendet e rajonit dhe për Ballkanin Perëndimor.
Aty merrte pjesë edhe i ngarkuari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer. A vutë re ndonjë konkurrencë ndërmjet BE-së dhe SHBA-ve në lidhje me Ballkanin Perëndimor?
Të them të drejtën, nuk më intereson që ta shoh çështjen si pikëpamje konkurrence. E vërteta për rajonin është, se sa herë që ka pasur një bashkëpunim më të mirë ndërmjet Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe sa herë që bashkëpunimi transatlantik ka qenë më i mirë, edhe lehtësia, me të cilën janë zgjidhur apo përballur problematikat, ka qenë më e madhe.
Në konferencë mori pjesë edhe komisioneri i zgjerimit, Olivér Várhelyi, i cili e kishte publikuar fjalën e tij, ku fliste edhe për përpjekjet që po bëhen për mbajtjen e konferencave të para ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në bazë të asaj që dëgjuat këtu, a mendoni se kjo do të ndodhë qysh brenda këtij viti?
Unë mund të them atë se çfarë di: që po punohet si nga Komisioni Europian, ashtu edhe nga vendet anëtare mbështetëse dhe më së shumti nga Gjermania, e cila këtë radhë ka jo vetëm presidencën e Këshillit të BE-së, por është një nga vendet që ka mbështetur fuqishëm perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor. Nuk mund të them se kjo do të ndodhë brenda dhjetorit, sepse ka shumë faktorë që ende ndikojnë, por uroj shumë që të mos humbasë ky shans i presidencës së Gjermanisë.
A u fol edhe për liberalizimin e vizave me Kosovën? Besoj që është një temë që ju, si koordinatore e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, e keni më për zemër.
Jo vetëm për liberalizimin e vizave të Kosovës me Bashkimin Europian, por njëkohësisht edhe për lëvizjen e lirë të qytetarëve në rajon. Sërish këtu, lëvizja e lirë e qytetarëve kosovarë në vendet e rajonit, – për shembull, për të hyrë në Bosnjë-Hercegovinë kërkohet vizë – është një nga temat që unë nuk e kam për zemër vetëm si shqiptare, por edhe sepse është një domosdoshmëri edhe për çuarjen përpara të agjendave tona rajonale. Besoj që në samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit, në samitin e Sofjes, ne do të kemi risi për sa i përket pjesës së lëvizjes së lirë të qytetarëve kosovarë në rajon. Dhe shpresojmë shumë që atë premtim që Bashkimi Europian e ka bërë prej vitesh për liberalizimin e vizave të qytetarëve kosovarë, të realizohet sa më shpejt.
Le t’u kthehemi pak dokumenteve të nënshkruara javën e kaluar në Uashington. Çfarë impakti do të kenë ato në punën tuaj, si koordinatore e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal?
Unë drejtoj një institucion, i cili varet nga Bashkimi Evropian. Shpresoj shumë që zhvillimi i marrëdhënieve ekonomike – jo vetëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por njëkohësisht edhe dialogu Prishtinë-Beograd, i cili ka vite që ka nisur me marrëveshjen e Brukselit – të vazhdojë dhe të shkojë përpara. Rajoni ka një nevojë të domosdoshme për investime të huaja. Ka një nevojë të domosdoshme për të kapërcyer edhe këtë situatë, e cila do të vazhdojë të jetë edhe vitin tjetër e vështirë. Flas për situatën ekonomike, e cila u rëndua edhe më shumë për shkak të pandemisë. Biznesmenët prej kohësh kanë shprehur nevojën dhe domosdoshmërinë e marrëdhënieve dhe lehtësirave më të mëdha për të bashkëpunuar me njeri-tjetrin në rajon. Të gjitha vendet e rajonit janë duke u përpjekur çdo ditë për të arritur në një faze të dytë të marrëveshjes së bashkëpunimit ekonomik, per krijimin e tregut të përbashkët rajonal apo të zonës së përbashkët ekonomike, siç është lancuar para disa vitesh me Procesin e Berlinit. Kështu që lëvizje ka, nganjëherë ne i vonojmë gjërat më shumë se ç’duhet, por shpresoj shumë që nëntori të jetë një moment i mirë, pozitiv.
Ju si koordinatore e Bashkëpunimit Rajonal, a mund të na e shpjegoni, se cili është ndryshimi midis Mini-Schengen-it dhe Zonës së Përbashkët Rajonale që po përpiqeni të realizoni ju?
Besoj që çdo lloj iniciative, që çon përpara bashkëpunimin ekonomik, është gjithmonë për t’u mirëpritur dhe për t’u diskutuar. Por, nga ana tjetër, them që në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka vend për të përfshirë të gjitha idetë e mira që mund të vijnë nga iniciativa, si ajo e ashtuquajtura e Mini-Schengen-it, në këtë kuadër të tregut të përbashkët ekonomik, për të cilin ne kemi vite që po punojnë.
Në Kosovë ekziston frika se prej kësaj mund të dalë Kosova e humbura dhe Serbia e fituara. E keni ju këtë merak?
Ne jetojmë mes frikërave, ndërtojmë mes frikërave, shpeshherë edhe mes mosbesimit, Kosova është një vend i pavarur dhe ka aftësinë për të marrë vendime vetë për fatin e saj dhe për të përcaktuar se cila qasje i vjen më shumë në ndihmë. Unë jam e bindur që rajoni duhet të ketë një qasje të përbashkët të të gjashtë ekonomive, duke lëvizur së bashku, jo një ndarje të tregut, sepse ne jemi një treg i vogël, edhe sikur të ishim 18 milionë, jo më sot kur gati 5 milionë janë larguar nga rajoni. Pra, një qasje, e cila i sjell të gjashta ekonomitë së bashku, sikurse është ajo e zonës së përbashkët rajonale, besoj që është qasja më e mirë, për t’i dhënë peshë rajonit, nga pikëpamja e tregut, nga pikëpamja ekonomike. Por njëkohësisht edhe ndihmon në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, të cilat kanë bazë dhe histori të gjatë politike.
Së fundi një pyetje personale. Opozita në Shqipëri është duke u përgatitur për pjesëmarrje në zgjedhje. A keni pasur ndonjë ftesë direkte për t’iu kthyer politikës vendase?
Jo, nuk kam ndonjë ftesë direkte dhe nuk kam se për çfarë të ftohem, se unë jam anëtare e Partisë Demokratike dhe nuk besoj se duhet që të të ftojë kush për të qenë pjesë e familjes. E kam vendosur prej vitesh, nuk pres që të më thotë njeri për të qenë në Partinë Demokratike. Por, shpresoj shumë që zgjedhjet e vitit të ardhshëm të jenë zgjedhje, të cilat realisht të kenë mundësi të përmbushin gjithë standardet. Kaq për sot.DW
*Titulli redaksional*
/m.v. abcnews.al