“Një duzinë me kriminelë”, Britania e Madhe deporton 12 shqiptarët e dënuar me 26 vite burg

schedule11:02 - 10 Shtator, 2020

schedule 11:02 - 10 Shtator, 2020

Autoritetet britanike kanë deportuar të mërkurën 12 shqiptarë të dënuar secili për vepra të ndryshme penale. Ata u larguan nga Britania e Madhe me një charter ndërsa të gjithë bashkë janë të dënuar me 26 vite burg në total, shkruajnë mediat vendase.

Disa prej tyre ishin futur në Britaninë e Madhe në mënyrë ilegale, shkruan abcnews.al

Mes shqiptarëve të “dëbuar” ishte edhe 25-vjeçari Kuinslend Dishi i cili u dënua me 20 muaj burg pasi kishte sulmuar një punonjësi të urgjencës dhe për mbajtje të armëve të ftohta.

Kuinslend Dishi

Dishi, sipas britanikes Mail Online, u arrestua në Kent pasi policia mori një denoncim se i riu kishte ndjekur një grua dhe e kishte marrë me forcë në makinën e tij. Më tej ai kërcënoi edhe policinë me thikë.

Të tjerë në listën e deportimit janë Armand Gjyriqi, 27-vjeçar i dënuar me 8 vite burg për trafik kokaine. Andrea Kopo, 24-vjeç, i dënuar me 5 vite burg për shpërndarje kokaine dhe vepra të tjera penale.

Andrea Kopo

Sipas raportimeve, Kopo ishte pjesë e një bande prej 6 personash të cilëve policia u gjeti më shumë se 53,000 paund në “cash” dhe kokainë me një vlerë prej 65,000 paundësh.

“Një tjetër shqiptar që hyri ilegalisht në këtë vend për t’u përfshirë në tregtinë e drogës ishte mes atyre që u dërguan në Tiranë. Orgito Asllanaj, 29 vjeç, u dënua në Exeter Crown Court në maj për prodhim kanabisi me 12 muaj burg,” shkruan Mail Online.

Pas deportimit të shqiptarëve, Sekretarja e Brendshme në vend, Priti Patel tha se ky fat i pret të gjithë ata që abuzojnë me mikpritjen e anglezëve.

“Mbretëria e Bashkuar është një vend më i sigurt pa këta kriminelë. Mesazhi nga këto dëbime është i qartë. Nëse vini në këtë vend dhe abuzoni me mikpritjen tonë, ne do t’ju deportojmë.” s.b/ abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!