Sinisa Mihajlovic, trajneri serb i Bologna, ka kaluar shumë peripeci kohët e fundit. Ai u diagnostiku me leucemi dhe për disa kohë qëndroi në spital. Betejën kryesore e fitoi dhe tashmë iu desh të përballej me koronavirusin.
Mihajlovic është rrëfyer për Gazzetta dello Sport dhe thekson se Covid-19 nuk është asgjë në krahasim me atë që ka kaluar më parë. “Pas asaj që kam kaluar nga korriku e deri në janar të vitit të shkuar, duke bërë një betejë të përditshme me leuceminë, me kimio terapi dhe transplant të palcës së kockave, COVID është si të pish një gotë me ujë të ftohtë.
Isha asimptomatik, por nuk do të thotë se sëmundja nuk ekziston. Nuk ngjan me gripin dhe kushdo që e mohon se virusi është vdekjeprurës, injoron realitetin dhe tregon mungesë respekti ndaj atyre që vdiqën, vuajtën dhe humbën të dashurit e tyre.
Nuk isha i shqetësuar, thjesht u irritova se duhet të qëndroja sërish larg ekipit tim gjatë stërvitjes. U tha shumë për gjendjen time shëndetësore, por shumë pak njerëz e dinë se çfarë ka ndodhur. Ka shumë lajme të rreme që kanë qarkulluar.
Testet e mia kanë qenë perfekte, kam marrë mjekime si çdo njeri normal. Ndihem në formë dhe mund të vrapoj 10 kilometra në ditë dhe të mbaj pesha. jetoj normalisht. e shijoj jetën në çdo moment dhe kjo është ajo që do të vazhdoj të bëj”, tha mes të tjerash Mihajlovic. /abcnews.al